“Banorët e fshatrave që janë në karantinë ankohen për mungesë të miellit”
Nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari ka deklaruar se personeli mjekësorë në këtë komunë kanë nevojë për dorëza, dezinfektues dhe maska, ndërsa, thotë se Ministria e Shëndetësisë ka sjellë vetëm një tendë që nuk i plotëson as minimumin e nevojave dhe kërkesave të pacientëve.
Rudari ka deklaruar se kanë formuar shtabin i cili ka për qëllim parandalimin e koronavirusit dhe i cili takohet çdo ditë për të parë se si duhet vepruar, por gjithashtu si komunë kanë vazhduar me dezinfektimit e hapësirave të ndryshme në këtë komunë.
Ai tha se kanë ndarë një buxhet dhe kanë blerë mjetet që iu duhen personeli shëndetësor, por meqë kjo situatë zgjati tash e një javë, ata kanë nevojë sërish për mjetet mbrojtëse.
“Kanë nevoja për mjetet mbrojtëse personali, për dorëza, maska dhe dezinfektues, mungesë e madhe e dezinfektuesve, nuk gjendet askund, por edhe personelet tjera. Ne do të donim që sa herë të kemi ndonjë reagim të gjithë të ishin të pajisur, edhe zjarrfikësit, edhe policia edhe punëtorët të tjerë të jenë të mbrojtur fillimisht ata“, tha ai.
Ai foli edhe për katër fshatrat e kësaj komune që janë në karantinë.
“Kërkesa jonë, gjegjësisht e banorëve ka qenë karantina ose të hiqet krejt ose të zvogëlohet hapësira ku është karantina sepse sipas banorëve ish dashur vetëm lagjja ku janë ato dy rate ku janë të jenë në karantin e jo i gjithë fshati. Ne po mundohemi brenda mundësive që i kemi, edhe nëpërmjet kryqit të kuq, t’i dërgojmë pako ushqimore, higjenike dhe miell dhe nëse zgjat kjo shumë, me siguri na duhet ndihma e pushtetit qendror…por ka banorë që ankohen për mungesë të miellit“, tha ai.
Ai shtoi se ata bëjnë vetëm intervenime emergjente, ndërsa, përmend një tënd që e ka dërguar Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk i plotëson as minimumë nevojat dhe kërkesat e pacientëve.
“Spitalin e përgjithshëm ende nuk e kemi funksionalizuar plotësisht dhe për momentin kemi shtretër vetëm në hollin e materniteit, bëjmë intervenime emergjente e më pastaj kalojnë për QKUK. Ne i kemi bërë disa improvizime me një karantinë që kemi bërë brenda QKMF-së, më pastaj prej Ministrisë së Shëndetësisë por ajo tendë nuk i plotëson as minimumin nevojat dhe kërkesat e pacientëve, kështu që nëse përshkallëzohet gj endja Ministria e Shëndetësisë seriozisht duhet të mendojë një plan për ndihmë konkrete për komunat“, tha ai.
Për gjendjen e jashtëzakonshme, Rudari thotë se i mbetet qeverisë të vendos, por thekson se nëse rritet numri, duhet të merren masa më drastike.
Kujtojmë se fshatrat Dumnicë e Epërme, Dumnicë e Poshtme, Llaushë dhe Përpellacë janë prej disa ditësh në karantinë