Bankat shpenzuan 42 milionë euro për humbje të pritshme nga kreditë
Bankat tregtare në Shqipëri këtë vit kanë shpenzuar rreth 42 milionë euro për fondin rezervë të humbjeve nga kreditë.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se shpenzimet për provigjionet e kredive për nëntë muajt e parë të vitit 2020 janë rritur me tre herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shpenzimet për provigjionimin e kredive këtë vit kanë arritur nivelin më të lartë që prej vitit 2016.
Kjo tregon se bankat kanë përllogaritur më shumë humbje nga kreditë me probleme krahasuar me një vit më parë. Ky element ka sjellë një ulje të ndjeshme të fitimeve neto të sistemit bankar për 9-mujorin 2020, me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në fakt, raporti i kredive me probleme gjatë gjithë këtij viti ka rezultuar i qëndrueshëm pranë nivelit 8.2%. Ky tregues nuk është rritur falë masave lehtësuese të aplikuara nga Banka e Shqipërisë, që për të lehtësuar shtyrjen e kredive hoqi përkohësisht detyrimin për riklasifikimin dhe provigjionimin e kredive që ristrukturohen. Megjithatë, bankat vetë kanë zgjedhur të ndjekin një qasje më të kujdesshme dhe shifrat tregojnë se i kanë rritur provigjionet, pavarësisht se raporti i kredive me probleme nuk është rritur.
Rritja e provigjioneve i shërben një zbutjeje të efektit financiar nga rritja e pritshme e kreidve me probleme gjatë vitit 2021. Duke parë tendencën e 9-mujorit, është e pritshme që provigjionet të kenë regjistruar një rritje të mëtejshme edhe në tremujorin e fundit të vitit 2020.
Bankat i kanë kërkuar Bankës së Shqipërisë shtyrjen e masave lehtësuese të paktën deri në fund të tremujorit të parë 2021. Kjo do të mundësonte vijimësinë e mbështetjes për ata klientë, sidomos në segmentin biznes, që kanë pësuar dëmtime nga kriza, pa keëqësuar statusin e tyre huamarrës. Një masë e ngjashme është marrë edhe nga rregullatorët e tregjeve bankare në shumicën e vendeve të Europës. Nisja e vaksinimit ka rritur optimizmin se bota do të dalë gradualisht nga emergjenca e lidhur me pandeminë dhe aktiviteti ekonomik do të rigjallërohet.
Shtyrja e masave lehtësuese synon pikërisht t’iu japë më shumë kohë bizneseve për të përmirësuar gjendjen e bilanceve dhe për të nisur shlyerjen normale të detyrimeve ndaj bankave. Kjo do ta shtynte më tej në kohë rritjen e pritshme të raportit të kredive me probleme, duke ndihmuar njëkohësisht edhe një vijimësi me ritme pak a shumë normale të aktivitetit kreditues, siç ka ndodhur pas muajit qershor./RTSH/