Bankat e shtrënguan ‘dorën’ në pandemi
Bankat dhe institucionet mikrofinanciare në Kosovë nuk u dolën në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve gjatë pandemisë. Sipas statistikave zyrtare, gjatë këtij viti pati rënie të madhe të kredidhënies, si për ekonomitë familjare, si për bizneset.
Të dhënat e sistemit bankar në gjashtëmujorin e parë tregojnë se ka ngritje të depozitave dhe rënie të kredive të reja. Këto dy dukuri reduktojnë qarkullimin e parasë në ekonomi duke shkaktuar rënie të kërkesës agregate. Në tremujorin e dytë, shuma e kredive të reja nëpër bankat komerciale ishte 48 përqind më e ulët se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kreditimi ishte reduktuar në të gjithë sektorët me përjashtim të atij bujqësor që pati një rritje të lehtë prej dy përqind krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2019.
Ngjashëm ishte edhe tek mikrofinancat.Në gjashtëmujorin e parë të 2020-tës, rënia e kërkesës për kredi në institucionet mikrofinanciare u manifestua me 59 përqind. Sipas raportit të institutit GAP, kjo tkurrje në portfoliot e kredisë ishte e pritshme pasiqë këto institucione nuk pranojnë depozita nga klientët dhe si rrjedhojë kanë ekspozim më të lartë ndaj rrezikut të likuiditetit në rast të rritjes së kredive të dështuara.
Rënie e këtyre kredive të reja nëpër këto institucione lidhet direkt me rënien e kërkesës për kredi nga qytetarët. Shuma maksimale që këto institucione ofrojnë si kredi për familje dhe individë me të ardhura të ulëta apo për mikro-subjekte është jo më shumë se 25 mijë euro.
E mungesa e këtyre kredive ndikon më së shumti tek qytetarët dhe mikrobizneset që kanë të ardhura të ulta dhe kolateral të pamjaftueshëm për të aplikuar për kredi në bankat komerciale.
Instituti GAP në raportin me titull “Ndikimi i pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës” rekomandon se edhe në këtë situatë tek institucionet mikrofinanciare zgjerimi i portfolios së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore mund të jetë i rëndësishëm në garantimin e një pjese të kredisë së këtij grupi në mënyrë që t’u mundësohet kreditimi nga bankat komerciale, ku norma e interesit është më e përballueshme. E gjithë kjo pasi sipas tyre mungesa e qasjes në financa është një tjetër arsye se si kjo krizë pritet të jetë e vështirë për individët që kanë të ardhura të ulëta.
Si rrjedhojë reduktimi i domosdoshëm i shpenzimëve të këtij grupi thëllon rënien e produktit bruto vendor (BPV-së). Prandaj qasja në financa nëse nuk bëhet përmes kredisë dhe punësimit rrezikon të bëhet përmes asistencës sociale si pasojë e thellimit të varfërisë, thonë nga GAP.