Banka Botërore jep 15.3 milionë dollarë për testimin e produkteve në Kosovë
Banka Botërore ka njoftuar se po ndihmon firmat në Kosovë për zvogëlimin e kostove për testimin e produkteve dhe për certifikim të njohur ndërkombëtarisht, nëpërmjet një projekti prej 15.3 milionë dollarëve, që synon përmirësimin e produktivitetit dhe eksporteve.
Projekti në fjalë, siç ka njoftuar Banka Botërore do të ndihmojë jo vetëm firmat, por edhe konsumatorët në Kosovë përmes përkrahjes për certifikimin e produkteve për eksport në tregje si Bashkimi Evropian, forcimit të kapacitetit të firmave të orientuara kah eksporti, dhe uljes së kostos së inspektimeve të biznesit.
Këto firma, që përfshijnë rreth 1.500 eksportues, do të përfitojnë nga kostot më të ulëta për këto shërbime, ndërsa 150 firma të tjera do të marrin grante përputhëse për t’i ndihmuar ato në marrjen e certifikatave dhe realizimin e standardeve të produkteve, si dhe në shfrytëzimin e shërbimeve për zhvillim të biznesit.
Këto iniciativa janë dizajnuar ashtu që nga ato të përfitojnë drejtpërdrejt konsumatorët në Kosovë, të cilët do të fitojnë mbrojtje të shtuar nga produktet e cilësisë së ulët.