Baleti me klasa falas synon balerinë të rinj, shkolla mbetet nismë
Përderisa themelimi i shkollës së baletit mbetet nismë e kahershme e premtuar prej disa qeverive, Baleti Kombëtar i Kosovës, me qëllim që të krijojë balerinë për një gjeneratë të re, ka vendosur të organizojë klasa falas. Një hap i tillë është edhe thirrje e radhës për shkollë baleti dhe alarm se balerinë të rinj ka gjithnjë e më pak
Kaherë ishte vlerësuar si domosdoshmëri themelimi i një shkolle baleti, në mënyrë që të krijohen kuadro të reja për Baletin Kombëtar të Kosovës. Kërkesa ka kaluar një dekadë, përderisa janë bërë gati shtatë vjet prejse ishte nismuar edhe në rrugë zyrtare themelimi e ndërtimi një shkolle baleti.
Por në mungesë të konkretizimit të kësaj kërkese, BKK-ja ka ndërmarrë vetë një hap, me qëllim që të çelë dyer për një gjeneratë të re balerinësh. Do të organizojë falas klasa baleti. Ato do të udhëhiqen prej Jeta Musollit dhe Fatmir Smanit, pjesëtarë të trupës së BKK-së. Thirrja është e hapur deri të martën e 11 prillit, për të interesuarit prej moshës 14 deri në 18-vjeçare. Ky organizim, për BKK-në vjen si dëshmi për përkushtimin e institucionit në investimin e Trupës së saj, por edhe në ngritjen e talentëve të rinj. Te ta do të përcillet përvoja afër 20-vjeçare e balerinëve Musolli e Fatmir Smani të cilët do të jenë mentorë të pjesëmarrësve në këto klasa që pritet të nisin nga mesi i kësaj jave. Cikli i parë i klasave të Baletit do të zgjasë dy javë. Nisma e tyre vjen edhe si thirrje për Ministrinë e Kulturës që të ndërmarrë hapa në themelimin e shkollës që do të funksionojë në kuadër të Baletit Kombëtar.
Fatmir Smani, njëri prej balerinëve të gjeneratës së parë të pasluftës të asaj që dikur njihej si Trupa e Baletit e Kosovës, e ka vlerësuar si ngecje mungesën e balerinëve në vend.
“Ideja është që t’i bëjmë thirrje Ministrisë që të ketë sa më shumë bashkëpunim që kjo të jetë në kuadër të shkollës dhe të jenë njerëzit profesionalë që japin mësim. Tash kanë mbetur shumë pak balerinë, pothuajse hiç. Kjo është një ngecje shumë e madhe dhe shpresojmë që shumë shpejt do të bëhet shkolla duke e pasur parasysh që të jetë në kuadër të Baletit Kombëtar”, ka thënë Smani derisa ka paralajmëruar se do të mbahen edhe klasa të tjera.
Kërkesat për formimin e institucionit të shkollës së baletit janë të kahershme, Premtimet ishin dhënë prej disa qeverive. Qysh prej marsit të vitit 2017 ishte paralajmëruar nisja e realizimit të projektit për objektin e saj. Ministri i atëhershëm i Arsimit, Arsim Bajrami, e kishte premtuar një gjë të tillë atëkohë e në shtator të po atij viti ishte deklaruar se ishte e pamundur. Fillimisht, premtimet ishin që punimet të nisnin në pjesën e dytë të vitit 2016. Projekti i shkollës së baletit nuk ka ekzistuar as në Ligjin për buxhetin e vitit 2017. Por në nëntor të 2016-s, ish-ministri Bajrami i kishte thënë “Kohës Ditore” se pavarësisht kësaj, ndërtimi do të nisë. Ndërtimi i shkollës së baletit ishte rikthyer edhe në dhjetor të vitit 2018 kur ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i ishte drejtuar me një letër për këtë çështje ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili e kishte vlerësuar të nevojshme themelimin e shkollës. Do të paralajmëronte edhe formimin e një komisioni ekspertësh. Me Bytyqin po atë muaj ishin takuar ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj tashmë i ndjerë dhe balerini, Sinan Kajtazi, që asokohe ishte edhe kryetar i Këshillit Drejtues i këtij institucioni, e tash drejtor. Ish-ministri Bytyqi nëpërmjet Facebookut kishte bërë të ditur se me Brahimajn e kishin vlerësuar si të nevojshme themelimin e kësaj shkolle, në mënyrë që të krijohen kuadro të reja për këtë degë arti skenik në vend.
Sinan Kajtazi ka thënë se në vazhdimësi janë duke punuar në këtë drejtim dhe se “janë bërë disa hapa të vegjël, por të rëndësishëm”.
Ka përmendur se deri para tetë vjetësh në baza ditore kanë mbajtur ushtrime për nxënësit e baletit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” si rezultat i bashkëpunimit me të. Bashkëpunimi ishte ndërprerë dhe sipas tij, për pasojë ka pak e hiç balerinë të rinj të diplomuar.
“Baleti është lëmë mjaft specifik i artit dhe sigurisht se edhe edukimin profesional e ka mjaft specifik. Nëpërmjet këtyre masterklasave, synojmë t’i ofrojmë gjeneratat e reja me realitetin se për çfarë ata shkollohen, domethënë procesin e punës së një trupe profesioniste të baletit. Po ashtu, përvoja dhe aftësia që solistët tanë të Baletit e kanë, mund të jetë mjaft e rëndësishme për rrugëtimin e këtyre nxënësve në fushën e baletit”, ka thënë Kajtazi. Pos njoftimit publik, kanë njoftuar degët e baletit në shkollat e muzikës në Prishtinë e Prizren. Ai beson se pjesëmarrësit në klasat e baletit do të jenë kryesisht nga këto shkolla. Është shprehur optimist se klasa të tilla do të organizohen edhe përgjatë muajve maj e qershor, varësisht prej orarit të provave dhe shfaqjeve të Baletit Kombëtar të Kosovës.
Ushtrimet me balerinët e rinj do të jenë të fokusuara në baletin klasik. Interesimi për të marrë pjesë veçse ka nisur qysh në ditët e para të para të thirrjes publike.
Balerini Smani ka thënë se atë personalisht e kanë kontaktuar në lidhje me këto klasa. Sipas tij, ideja është që të përzgjidhen disa prej pjesëmarrësve që mund të vazhdojnë në performimin e këtij arti skenik.
“Duke marrë parasysh se ka shumë interesim nëpër kurse, këtë po e bëjmë në mënyrë profesionale që fëmijët të trajnohen prej njerëzve adekuatë që kanë përvojë, siç jemi unë dhe Jeta, tash e 20 vjet që merremi me koreografi të ndryshme, me profesorë të ndryshëm dhe gjithë këtë eksperiencë që e kemi, t’ua shfaqim fëmijëve që t’u japim vullnet të vazhdojnë në balet”, ka thënë Smani.
Balerina Jeta Musolli e cila ka gati 21 vjet në BKK ka treguar se “do të mbahen orë të baletit klasik, ushtrimet bazë dhe mund të regjistrohet kushdo”. Sipas saj, e rëndësishme është që BKK-ja është e hapur për bashkëpunime.
“Kemi qenë të hapur gjithmonë për bashkëpunime ndërmjet nxënësve dhe gjeneratave të reja, duke e marrë parasysh se si është duke funksionuar që nuk ka gjenerata dhe nuk kemi shkollë adekuate për balet. Ky lloj bashkëpunimi është shumë mundësi e mirë për Baletin, gjithashtu edhe për nxënësit e shkollave që duan të marrin pjesë. Kjo na ndihmon edhe ne të zhvillohemi si trupë, por edhe atyre në zhvillimin tekniko-artistik”, ka thënë ajo.
Pos me institucionin e shkollës së baletit, BKK-ja prej korrikut të vitit të kaluar ka mbetur pa hapësirën e përhershme për ushtrime, përdhesen e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ministria e Kulturës e mbylli objektin e TKK-së për realizimin e projektit të restaurimit që ende nuk ka nisur. Përderisa ansambli i aktorëve është zhvendosur në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, BKK-ja mbanë provat në hapësirat e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”, aty ku do të mbahen edhe klasat e baletit. Në shkurt të këtij viti, menaxhmenti i Baletit, duke pasur parasysh nevojën për hapësira për ushtrime, kishte identifikuar si hapësirë potenciale katin e nëntë të hotelit “Grand”, i cili verën e kaluar qe njëri prej lokacioneve kryesore të bienales nomade evropiane, “Manifesta 14”.