Bajrami: PAN-i në opozitë, tash fjalët do të kthehen në vepra
Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, ka thënë se prej nesër PDK, AAK e NISMA dalin në opozitë. Ka thënë se tash fjalët do të kthehen në vepra dhe premtimet do të realizohen.
Ajo ka kërkuar të ndërtohet një standard i ri në politikën kosovare dhe të mos bëhen krahasime ndërmjet qeverisjes LDK-VV me PAN’in.
“Tash fjalët do të kthehen në vepra. Premtimet do të realizohen. Ndryshimi do të ndodhë në secilën pjesë të shoqërisë. Nuk do të krahasohemi me PAN-in dhe keqqeverisjen e tyre. Ata po shkojnë në opozitë të gjatë. Ne do të ndërtojmë standard të ri për të ecur përpara”, ka shkruar Bajrami, në një reagim në FB.
Ndërkohë, marrëveshja VV-LDK është arritur 119 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.
Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kishin ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.
Deri më tash VV dhe LDK kishin dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Në fund ishin bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzonte të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.
Kurti kishte thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh. Madje, kishte thënë se s’janë monarkë që bazuar në vullnete personale të luajnë me njerëzit nëpër pozita shtetërore.