Bahtiri kërkon që të lejohet puna e gastronomisë në ambiente të hapura edhe pas orës 21
Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, thotë se ka pranaur një peticion nga gastronomët për lejimin e punës në ambiente të hapura edhe pas orës 21. Ai thotë se nëse vendimi i Qeverisë Kurti për kufizim të lëvizjes ishte anti-kushtetues, atëherë pse nuk është edhe vendimi i Qeverisë aktuale.
“Pas vendimeve të fundit të Qeverisë, sot kam pritur në takim përfaqësuesit e bizneseve të gastronomisë që operojnë në Mitrovicë, të cilët më kanë dorëzuar një peticion me të cilin kërkohet që atyre t’iu mundësohet puna edhe pas orës 21:00 në ambiente të hapura, peticion të cilit i bashkohen edhe personalisht si kryetar komune.”, thotë ai.
“Vendimi për kufirizimin e orarit të punës së restauraneve dhe kafiterive pas orës 21:00 po i godet keq këto biznese, të cilat edhe ashtu mezi po mbijetojnë pas krizës së përgjithshme ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit COVID-19. Po ashtu ky vendim është absurd, pasi që po e kufizon qendrimin në ambiente të hapura në restorante, ndërsa po e lejon qarkullimin e qytetarëve në sheshe pas këtij orari, duke krijuar tollovi të mëdha të cilat janë më të rrezikshme se sa qendrimi ulur në një tavolinë.”, shton ai.
“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që t’i rishqyrtoj vendimet e fundit dhe t’iu mundësoj bizneseve të gastronomisë funksionimin edhe pas orës 21:00 në ambiente të hapura, sepse kështu si është edhe këta pak mërgimtarë që kanë ardhur nuk po kanë ku ta kalojnë kohën e lirë. Njëkohësisht, kërkoj nga qytetarët e Kosovës që t’i zbatojnë masat mbrojtëse nga koronavirusi COVID-19, sipas udhëzimeve të dhëna nga institucionet shëndetësore.”, përfundon ai.