Bahri Cani: Nuk ka politikan në Kosovë që nuk është pro-amerikan
Korrespondenti i Deutsche Welle, Bahri Cani, ka shpjeguar pse ka reaguar pas shkrimit të gazetarit shqiptar Andi Bushati i cili ju ka shkruar një letër mbështetësve të Vetëvendosjes të cilëve ju kërkon që të revoltohen dhe rebelohen.
“Unë nuk komentoj deklaratat e kolegëve. Kam pasë vendosur më 3 shkurt që 100 ditët e para të qeverisjes Kurti që të mos e hap gojën fare dhe të lë në qetësi, qoftë edhe me analizat tona, që të punojë ‘Qeveria e Shpresës’. Ajo që më ka bërë mua të reagoj ndaj shkrimit të kolegut [Andi Bushati] është thirrja për revoltë, pavarësisht dëmeve kolaterale”.
“Kjo pavarësisht ‘dëmeve kolaterale’ është një gjë që Kosova e njeh shumë mirë dhe e ka përjetuar shumë shpesh”.
“Shpjegimi i tanishëm që e dëgjova nga [Andi] Bushati është një gjë krejt tjetër nga ajo që unë e kam lexuar në atë shkrim, prandaj më duhet të tërhiqem pak nga ato deklarata. Mirëpo, ajo pavarësisht ‘dëmeve kolaterale’ dhe në kohën e pandemisë të bëhet thirrje për revoltë është një gjë shumë e rrezikshme”.
Cani Klan Kosova e ka shprehur shqetësimin për termin ‘dëme kolaterale’ që është përmendur nga kolegu i tij Andi Bushati në letrën – drejtuar atyre që e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje – që mori shumë vëmendje.
“Kosova ka treguar shumë shpesh revoltë. Në Parlamentin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar revoltë edhe me gaz lotsjellës. Është treguar me protesta dhe demonstrata”.
“Nuk është puna e revoltës – që në fjalor do të thotë shprehje e pakënaqësisë dhe jo kryengritje – por, më ka penguar shprehja ‘pavarësisht dëmeve kolaterale’. Në kohën e luftës së Kosovës, ‘dëmet kolaterale’ janë përmendur për viktimat civile në kohën e bombardimeve, sepse de facto ato kanë qenë dëmet kolaterale – dhe ka njerëz që këto gjëra i lidhin mes vete”.
Cani ka treguar se si i sheh qëndrimet e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. A është Albin Kurti një anti-amerikan?
“Asnjë politikan pak normal në Kosovë nuk mund të dalë dhe të thotë që jemi kundër politikës amerikane. Secili politikan në Kosovë ka të drejtë ta ketë mendimin e vet për një diplomat të caktuar”.
“Kryeministri i Kosovës duhet të veprojë në koordinim të plotë me presidentin dhe institucionet e shtetit për të përfaqësuar interesat e vendit”.
“Nuk është problem i Richard Grenell dhe administratës amerikane që nuk ka dalë kundër ndarjes së Kosovës. John Bolton dhe Richard Grenell nuk mund të krahasohen, sepse Bolton është një nga diplomatët e rrallë, ndoshta i vetmi amerikan, që ka shprehur një kundërshtim të Pavarësisë së Kosovës, derisa Grenell s’e ka thënë këtë kurrë. Madje, ai në intervistën e fundit për mediat e Kosovës se ai është kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës”.
“Mirëpo, ajo çka duhet të kemi parasysh është që prekja e kufijve të jashtëm nuk është politikë amerikane, ajo është politikë e zonjës që ka ndërmjetësuar më parë negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe politikë e dy presidentëve të Serbisë dhe Kosovës të cilët në një moment të caktuar kanë folur për korrigjimin e kufijve – pa e caktuar kurrë se çka do të thotë korrigjim i kufijve. Edhe Edi Rama ka qenë i përfshirë në këto negociata”.
Cani nuk ka dashur të komentojë akuzat e politikanëve kosovarë se kush është pro-amerikan dhe kush është anti-amerikan.
“Është një nivel tepër i ulët i debateve mes politikanëve të Kosovës që dalin dhe flasin se kush është më tepër pro-amerikan – ky është një trajtim tepër i ulët i kësaj çështje”.
“Unë besoj që nuk ka politikan në Kosovë që nuk është pro-amerikan, sepse të qenit në këtë moment pro-amerikan do të thotë të kesh një partner jashtëzakonisht të fuqishëm që të realizohen aspiratat e popullit shqiptar të Kosovës me shekuj të tërë. Këto janë lojëra politike që ata i përdorin tani më mes vete”.