Babë e birë nga Ferizaj dërgohen në Klinikën Infektive, kishin kontakte më rastin e “Bondsteel”
Babë e birë nga komuna e Ferizajt janë dërguar në Klinikën Infektive, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme pasi dyshohet se janë prekur me Covid-19.
Babi është punëtor në Kampin “Bondsteel”, ku para disa ditësh kishte vdekur një 65-vjeçar i prekur me koronavisrus, i cili kishte punuar shofer në këtë kamp.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Aliu ka thënë se gjatë ditës së sotme edhe 10 mostra janë dërguar në IKSHPK, dhe pritet rezultati i tyre.
“Ne sot i kemi dërguar 10 mostra në IKSHPK dhe presim që të dalin rezultatet sonte. Mbrëmë në orët e vona i kemi dorëzuar në Klinikën Infektive dy të dyshuar me simptoma të Covid-19 dhe janë pranuar në Klinikën Infektive. Ata dy që janë në Infektivë nuk e di a i kanë marr mostrat, por kryesore ne i kemi dërguar në Infektivë, janë babë e birë. Babai është punëtor i Kampit “Bondsteel”, ka thënë Aliu.
Aliu po ashtu ka thënë se gjendja shëndetësore e të infektuarve nga kjo komunë është stabile. Katër prej të infektuarve janë në Klinikën Infektive.
“Gjendja në përgjithësi e gjithë të prekurve është gjendje stabile e qëndrueshme në bazë të raporteve që sot në mëngjes shtabit emergjent i ka raportuar Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik Rajonal. Deri tash i kemi 4 raste që janë në klinik, 2 i kemi pas më herët edhe dy që i kemi dërguar mbrëmë”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, në Ferizaj janë duke u respektuar masat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.
“Në përgjithësi në 3, 4 ditët e fundit lëvizja ka qenë e qetë, përjashtim ditën e djeshme kur u shkaktu një panik për shkak të veprimeve që mund të pasonin pas vendimit të fundit. Dhe kishte një panik qoftë për çështje shëndetësore, coftë për çështje të ushqimit, dhe kishte më shumë dalje të qytetareve. Përndryshe në ditët e fundit gjendja ka qenë e qetë”, ka thënë ai.