Babadimri i Komunës gëzon drejtorët me smartphone
Dhjetori, muaj festiv do t’i gëzojë drejtorët e Komunës së Klinës.
Ata do të pajisen me telefona të mençur/smartphona me para të taksapaguesve.
Komuna e Klinës që udhëhiqet nga kryetari Zenun Elezaj i AAK-së do të shpenzojë hiç me pak se 9216 euro për blerjen e telefonave të mençur.
Sipas njoftimit për dhenije të kontratës, i publikuar në KRPP të gjithë telefonat do të jenë për stafin ekzekutiv, shkruan FaktePlus.
Prokurimi komunal e ka shpallur fitues të tenderit për furnizim me telefona mobil kompaninë “Albus” nga Prishtina.
Ky tender është proceduar me vetëm një ofertë, me atë të kompanisë fituese dhe fituesi është shpallur me datë 4 dhjetor, ndërsa kontrata është nënshkruar sot.
Ekzekutivi i Klinës përbëhet nga koalicioni qeverisës në mes të AAK-së, LDK-së, e VV-së, të cilat udhëheqin me 10 drejtori.
Edhe Ministria e Integrimit Evropian e ka realizuar një tender me një vlerë minimale për furnizim me një telefon mobil. Nuk dihet se për kënd është blerë ky smartphone. Vlera e telefonit është 780 euro dhe është blerë te ”Mobi Gega”. /FaktePlus