Azerbajxhani akuzon Armeninë për sulm me raketa
Autoritetet në Azerbajxhan thonë se një sulm me raketa në qytetin e Ganjës vrau të paktën 12 vetë dhe plagosi 40 të tjerë të shtunën.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se qytetet Ganja dhe Mingachevir u goditën me raketa të lëshuara nga dy pika të ndryshme në Armeni.
Autoritetet armene as nuk e kanë mohuar dhe as e kanë pranuar përgjegjësinë për sulmet ndaj dy qyteteve.
Sipas burimeve zyrtare në Azerbajxhan, sulmi me raketa i së shtunës shkatërroi të paktën 20 ndërtesa banimi në Ganja, qyteti i dytë më i madh i vendit.
Luftimet e vazhdueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë shpërthyen në 27 Shtator dhe kanë shkaktuar vdekjen e qindra vetëve, duke shënuar përshkallëzimin më të madh të konfliktit që vazhdon me dekada mbi rajonin separatist të Nagorno-Karabakut që nga një armëpushim i vitit 1994.
Territori kryesisht etnik armen deklaroi pavarësinë e tij nga Azerbajxhani në 1991 gjatë rënies së Bashkimit Sovjetik, duke shkaktuar një luftë që i mori jetën deri 30,000 njerëzve para se të arrihej armëpushimi i vitit 1994. Megjithatë pavarësia e tij nuk njihet ndërkombëtarisht.