Azemi: Sot shefat po ankohen më tepër se punëtorët
Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se pas liberalizimit të vizave, gjendja e punëtorëve privatë në Kosovë është më mirë, duke u shtuar se “sot po ankohen më tepër shefat se punëtorët”.
Ai ka thënë të martën në emisionin “SOT” të KTV-së, se një punëtor krahu sot në Kosovë i merr 25 apo 35 euro në ditë, e një mjeshtër rreth 50 euro në ditë, duke përfshirë shujtën e ushqimit dhe transportin. Azemi me ironi tha se tash ka kërkesa “për hapjen e një shoqate për shefat”.
“Hiqi punëtorët që i kemi kontraktuar nga operatorët ekonomikë, e që janë në gjendje të rëndë, kemi një iniciativë për formimin e një shoqate të shefave pasi këta tash po ankohen më shumë se punëtorët. Pjesa tjetër e punëtorëve ka ndryshuar. 1 punëtor privat, punëtor krahu, sot brenda ditës i merr minimumi 25 euro dhe maksimumi 35 euro. Është solide, por ky punëtor merr ushqimin dhe transportin pasi ka mungesë të punëtorëve. Kjo gjendje ka ndryshuar. Për herë të parë e themi se jemi në situatë më të mirë”, ka deklaruar Azemi.
Kreu i Federatës ka shtuar se kjo gjendje e mirë nuk është për shkak të solidaritetit të kompanive, por për shkak të mungesës së punëtorëve.
“Është mungesë e punëtorëve, shumë projekteve po mbesin prapa për shkak të kësaj mungese. Është konkurrencë e madhe për të marrë një punëtorë…E keqja e kësaj pune është që ajka dhe vitaliteti i fuqisë punëtore na ka ikur, e ka mbetur një pjesë e punëtorëve që s’ka qenë më herët”, ka thënë ai.
Azemi ka potencuar se punëtorëve teknikë të Kuvendit të Kosovës po e vazhdojnë grevën e nisur të hënën (16 shtator), e sipas tij, deputetët as që po i kthejnë sytë kah ta.
“Deputetët e Kuvendit e kanë rrejtur këtë popull se do të interesohemi për kushtet sociale më të mira. Fakti se dalja e punëtorëve në këtë grevë…Këta deputetë, kanë nga një asistent për t’ua dërguar fëmijët në shkolla, ne fëmijët tanë s’po mund t’i çojmë me 270 euro. Pos librave që shteti ua ka dhënë, shteti s’u ka dhënë pajisje për veshmbathje. Shumë nxënës s’mund të shkojnë në shkollë për shkak të mjeteve së veshmbathjes”, ka deklaruar ai.
Azemi ka shtuar se greva do të vijojë deri në realizimin e kërkesës së punëtorëve të kontraktuar nga një kompani private, që ata punëtorë të paguhen 550 euro.