Avokati: Navalny po e humb ndjeshmërinë në duar dhe këmbë
Shëndeti i kritikut të burgosur të Kremlinit, Aleksei Navalny, është duke u përkeqësuar dhe se ai ka filluar ta humbë ndjeshmërinë në duar dhe këmbë, tha avokati i tij.
Avokati Vadim Kobzev tha se Navalny, i cili është duke e vuajtur dënimin me burg për akuzën për përvetësim, është diagnostikuar me dy herni spinale, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Javën e kaluar, Navalny u fut në grevë urie për të kërkuar trajtim të duhur mjekësor për shkak të dhimbjes akute në shpinë dhe këmbë.
Avokati Kobzev, që e vizitoi Navalnyn në burg të mërkurën, shkroi në Twitter: “Aleksei po ec vetë. Ndien dhimbje gjatë ecjes. Është shumë shqetësuese që sëmundja është duke përparuar qartazi në kuptimin e humbjes së ndjeshmërisë në këmbë, duar dhe kyçe.”
Këtë javë, Navalny u dërgua në një repart për të burgosurit e sëmurë me simptoma të një sëmundjeje të frymëmarrjes. Ai është ankuar për kollë të vazhdueshme dhe temperaturë të lartë.
Përmes një postimi në Instagram, Navalny tha se autoritetet po mundohen që t’ia minojnë grevën e urisë duke pjekur pula afër tij dhe duke i vendosur sheqerka në xhepat e rrobave.