Avokati i Popullit i drejtohet Komunës së Prishtinës dhe MEA-së pas ankesës së qytetares
Avokati i Popullit ka lëshuar një komuniikatë për medie si dhe një raport me rekomandime përkitazi me cenimin e të drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm si pasojë e ndikimit të ndotjes ajrit.
Raporti vjen pas ankesës së qytetares L.P, e cila ka shfaqur pakënaqësi për një ogjak të një objekti kolektiv i ndodhur pranë pronës së saj. Qëllimi i tij është të tërheqë vëmendjen e autoriteteve kompetente, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), që të ndërmarrin veprime konkrete për sigurimin e një mjedisi të pastër banorëve të kompleksit Relax-3, Ob-1, në lagjen Mati në Prishtinë.
Komunikata e plotë:
Avokati i Popullit, në pajtim me mandatin e tij kushtetues dhe ligjor publikoi raportin me rekomandime A.nr.342/2018 përkitazi me cenimin e të drejtës për mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm si pasojë e ndikimit të ndotjes ajrit, dhe të njëjtin ua ka përcjellë autoriteteve përgjegjëse.
Raporti është i bazuar në ankesën individuale të znj. L.P përkitazi me ndotjen e ajrit, të shkaktuar nga oxhaku i objektit kolektiv, i cili gjendet pranë pronës së ankueses, në lagjen Mati 1, në Prishtinë.
Raporti ka për qëllim që të tërheqë vëmendjen e autoriteteve kompetente për nevojën e ndërmarrjes së menjëhershme të masave, s’i obligime pozitive të shtetit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, si domosdoshmëri për t’iu siguruar qytetarëve mjedis të pastër të sigurt dhe të shëndetshëm dhe të drejtën e privatësisë.
Avokati i Popullit nëpërmjet këtij raporti i rekomandon autoriteteve përgjegjëse, që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore, t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme dhe efektive për eliminim e shkaktarit të ndotjes.