Avdyli: Qeveria e ardhshme do të jetë LDK-PDK, për këtë nuk e kemi marrë mandatin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka sqaruar vendimin e tij për të mos e votuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Avdyli ka shprehur pakënaqësinë e tij për prishjen e koalicionit qeverisës mes LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk është dashur që ne t’i shkaktojmë shqetësim qytetarëve tanë, përkundër të gjitha problemeve që i kanë”, ka thënë Avdyli në emisionin “Pressing”, në televizionin T7.
Ai ka thënë se nuk e mbështet mocionin për rrëzimin e qeverisë, pasi një gjë e tillë i hap rrugën kthimit të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet.
“Nuk e kam nënshkruar mocionin, nuk e votoj qeverinë e ardhshme me PAN’in”, ka deklaruar Avdyli.
“Po shkojmë drejt një qeverie ku patjetër do të jetë PDK’ja”, ka theksuar ai.
“Qeveria e ardhshme do të jetë LDK-PDK, për këtë ne nuk e kemi marrë mandatin”, ka deklaruar Avdyli.
“Herën e kaluar ju kemi thënë se s’bëjmë koalicion me PDK’në, tash do t’i themi po bëjmë…”, ka shtuar ai.
Avdyli ka treguar se përveç tij, mocionin nuk do ta votojnë edhe tre kolegë të tij nga LDK’ja.
“Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, Ardian Shala dhe Fatmir Rexhepi”, ka deklaruar Avdyli, kur është pyetur për emrat e deputetëve që do të votojnë kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti./FaktePlus