Avdullah Hoti premton dyfishim të subvencioneve për bujqësinë
I nominuari i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti sot ka premtuar ndihmë shtesë për bujqit e dëmtuar nga reshjet e fundit atmosferike.
Në pritje të marrjes së mandatit dhe formimit të qeverisë, Hoti thotë se me shqetësim dhe keqardhje po i përcjell raportimet për dëmet në bujqësi nga breshëri në disa komuna nëpër Kosovë.
Në këtë rast Hoti tha se ministri aktual i Bujqësisë, Besian Mustafa, bashkë me komunat duhet të bëjnë vlerësimin e dëmeve dhe të mbështeten.
“Ministri i Bujqësisë bashkë me komunat përkatëse duhet të evidentojnë këto dëme dhe të shfrytëzohen të gjitha mundësitë për mbështetje të bujqve të dëmtuar. Në programin për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë së re kemi paraparë dyfishim të të gjitha subvencioneve në bujqësi, krahas masave tjera për mbështetje të kredive bujqësore dhe investimeve publike sisteme të ujitjes. Këto masa në detale do të prezantohet në ditët në vijim dhe do të miratohen në mbledhje e parë të Qeverise së re”, ka shkruar Hoti në rrjetin social.