Autoritetet daneze po hetojnë sulmin ndaj Konsullatës së Kosovës
Autoritetet daneze të sigurisë janë duke e hetuar sulmin ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë që ndodhi mëngjesin e së mërkurës.
Zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj ka treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se autoritetet daneze janë duke e hetuar rastin sipas rregullave të Konventës së Vjenës.
Ai thotë se nuk ekziston asnjë dyshim se sulmi është i orkestruar dhe i nxitur prej strukturave shtetërore të Serbisë.
“Autoritetet daneze janë duke e hetuar rastin sipas gjitha rregullave diplomatike. Sipas Konventës së Vjenës dhe besoj që shumë shpejt do të zbulohet kryesit e këtij sulmi. S’ka asnjë lloj dyshimi se sulmet e tilla janë të nxitura dhe të orkestruara prej strukturave shtetërore të Serbisë”, tha Zyberaj për FaktePlus.
Për çështjen e hetimeve Zyberaj nuk ka dashur të jap detaje tjera, duke thënë se kjo është çështje e organeve të sigurisë.
“Lidhur me hetimet nuk mund të flas për shkak se janë çështje të organeve të sigurisë, por autoritetet daneze janë duke u marrë seriozisht me rastin”, potencoi këshilltari Zyberaj.
Kujtojmë se ishte ministri i Punëve të Jashtme, Bengjet Pacolli që në kumtimin e lajmit për sulmin ndaj Konsullatës ka thënë se sulmi ka ndodhur nga huliganët serbë.
“Ne jemi duke punuar me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Sulmet e vazhdueshme të huliganëve serbë kundër ambienteve diplomatike dhe konsullore të Kosovës tregojnë vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk don të kuptoj se qe 11 vjet në Ballkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës. E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, pati shkruar Pacolli.
Kurse, gjatë ditës së sotme është raportuar se sulmin e kanë kryer tifozët huliganë të klubit “Crvena Zvezda”, të urdhëruar nga shërbimet sekrete serbe –BIA.
Njëri nga udhëheqësit e klubit “Crvena Zvezda” është edhe njëri nga drejtorët e shërbimit sekret serb, Bojan Dimiq.
Madje, vetë Dimiq ka publikuar video dhe foto në profilin e tij në Facebook, ku krenohet me tifozët e klubit të tij.
Në njërin nga këto postime, Dimiq shkruan: “Bravo djema, bravo Dulle… Zvezda – Serbia – Kosovo Metohia”.
Për sulmin ndaj Konsullatës së Republikës së Kosovës në Kopenhagë dhe dëmtimit të Stemës së Shtetit të Kosovës ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ai thotë se sulmi ndaj Konsullatës së Kosovës në Danimarkë, në fillim dukej si sulm i huliganëve të sportit, por doli të jetë akt i planifikuar nga strukturat e sigurisë shtetërore në Serbi.
Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Tëitter, ka thënë se ky sulm është një dimension i ri i goditjes së sovranitetit të Kosovës.
“Sulmi ndaj Konsullatës së Kosovës në Danimarkë, fillimisht dukej si sulm i huliganëve të sportit, por doli të jetë akt i planifikuar nga strukturat e sigurisë shtetërore serbe. Ky sulm, është një dimension i ri i goditjes së sovranitetit të Kosovës”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.