Austriakët kundërshtojnë ligjin për vaksinimin e detyruar
Rreth 10 mijë persona mbushën rrugët e Vjenës të shtunën, sipas Reuters, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë austriake për të vendosur vaksinimin e detyruar nga data 1 shkurt, si dhe për masat e tjera Anti-Covid në vend.
Protestuesit mbanin në duar pankarta të mëdha ku shkruhej “nuk mund të detyrosh 2,5 milionë vetë”, shifër kjo e raportuar nga autoritetet nëntorin e kaluar për numrin e personave të pavaksinuar në vend.
Kancelari Karl Nehammer deklaroi se masat Anti-Covid do të lehtësohen javën e ardhshme, për t’i paraprirë futjes në fuqi të ligjit për vaksinim të detyruar, të miratuar më 27 janar nga dhoma e ulët e parlamentit austriak, të quajtur edhe Këshilli Kombëtar. Ky ishte shteti i parë në Bashkimin Evropian që ka marrë këtë masë.
Qeveria e kishte paralajmëruar që në nëntor këtë ligj, për shkak të numrit të madh të personave që nuk kanë pranuar të marrin vaksinën. Fillimisht qeveria tha se të gjithë personat më të mëdhenj se 14 vjeç duhet të vaksinoheshin, por më pas e ndryshoi moshën në mbi 18 vjeç.
Ligji gjithsesi duhet të miratohet edhe në dhomën e lartë, Këshillin Federal, e më pas të dekretohet nga presidenti i vendit, Alexander Van der Bellen, hapa që parashikohet të jenë thjesht formalitete.