Australia raporton numër rekord të rasteve të reja me COVID-19
Australia raportoi sot numrin më të madh të rasteve të koronavirusit për shkak të përhapjes së llojit Omicron, i cili rriti shkallën e shtrimit në spital.
Më shumë se 147.000 raste të reja janë regjistruar në Australi në 24 orët e fundit, me rreth 92.000 raste në shtetin më të populluar, Uellsi i Ri Jugor, përcjell Reuters.
Janë raportuar gjithsej 53 vdekje të reja dhe Uellsi i Ri Jugor ka pësuar ditën më vdekjeprurëse që nga fillimi i pandemisë – 22.
Numri i të shtruarve të ri në spital dhe i personave të pranuar në terapi intensive është aktualisht më i larti që nga fillimi i epidemisë, por autoritetet thonë se sistemi shëndetësor mund të përballojë numrin në rritje të rasteve.
Australia ka raportuar pothuajse një milion raste në dy javët e fundit, në një kohë kur njerëzit po i përshtaten dalëngadalë jetës me virusin me më pak kufizime.
Numri i përgjithshëm i infeksioneve të zbuluara në Australi që nga fillimi i epidemisë ka arritur në 1.4 milionë.
Rritja e fundit ka rënduar seriozisht zinxhirët e furnizimit, duke i detyruar autoritetet të lehtësojnë rregullat e karantinës për punëtorët.
Megjithatë, shkalla e vdekshmërisë gjatë valës së Omicron është më e ulët se më parë në një vend ku më shumë se 92 për qind e njerëzve mbi moshën 16-vjeç kanë marrë dy doza dhe vaksinimi përforcues është përshpejtuar