Auditori: Në Telekom u punësuan 178 njerëz pa konkurs
Për punësimet politike në Telekomin e Kosovës ka dëgjuar e lexuar thuajse çdo qytetarë i Kosovës. Është raportuar për qindra punësime që janë bërë në këtë ndërmarrje pa konkurse e më intervenime politike. Për këto punësime ka dhënë një vlerësim edhe Zyra e Auditorit Gjeneral.
Në raportin e Auditorit për Telekomin e Kosovës është treguar se janë punësuar njerëzit pa pasur fare konkurs.
“Kompania, gjatë vitit 2018 kishte angazhuar 178 punonjës për punë dhe detyra specifike, pa shpallur konkurs publik. Arsyeja e angazhimeve të tilla ishte se kompania, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme shpalljen e konkursit publik për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike. Për më tepër, në përgjigjen e tyre jepen këto sqarime: angazhimi i stafit me punë dhe detyra specifike në parim është realizuar; thirrja për shprehje të interesit është plasuar në Web faqe të kompanisë dhe në hyrje të objekteve kryesore të Telekomit, është bërë identifikimi i nevojave të stafit nga departamentet kërkuese dhe përmes angazhimit të stafit përcjellës nga secili Kryeshefi Ekzekutiv për kabinetet e tyre”, thuhet në raportin e Auditorit, shkruan FaktePlus.
Auditoiri ka treguar se sipas Ligjit të punës, Nr. 03/L-212, neni 8, pika 1, kërkohet që “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.
Gjithashtu, Udhëzimi Administrativ (MPMS) Nr.07/2017 – Për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik, neni 4, pika 3, kërkon: “Konkursi publik mbetet i hapur 15 ditë nga dita e publikimit dhe duhet të publikohet së paku në njërën nga mjetet e shkruara të informimit”.
Sipas Auditorit angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues , përveç që mund të mos jetë në harmoni me obligimet ligjore, rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.
“Kryesuesi i Bordit të sigurojë se janë shqyrtuar shkaqet që kanë krijuar mangësitë e identifikuara dhe se janë marrë masat e nevojshme që të respektohen dispozitat ligjore përkatëse me rastin e angazhimeve të punonjësve të rinj”/FaktePlus./