Aty ku bamirësia kthehet me sharje e plumba!
Nga: Jakup Krasniqi
Tregimi i parë
Ishte Ditë Bajrami. I zoti i shtëpisë dhe gruaja nuk dinin si t’ia bënin. Fëmijët që i kishin prush, për ta nuk i kishin gjërat më të domosdoshme për drekën e Bajramit. Burri i hutuar e hapi derën e shtëpisë pa e ditur se nga po shkonte, pasi shtëpia nuk po e mbante nga halli. Dhe vendosi që për katër a pesë orë të dilte nga shtëpia pa e ditur se nga do shkonte, veç dëshironte të dilte jashtë shtëpisë, doli edhe jashtë oborrit dhe shëtiti si pa krye pyjeve e livadheve të fshatit dhe më në fund erdhi përsëri në shtëpi. I bëhej se tymi po i dilte nga koka! Ashtu i humbur hyri në shtëpi dhe pa Drekën gati. U habit!! E pyeti të shoqen se nga erdhën këto gjëra? Shoqja i tregoi se fqinjë i kamur e bamirës ia kishe sjell harçin e Drekës së Bajramit! Fytyrat e fëmijëve të vegjël po shndriteshin nga gëzimi!
Burri pasi u mendua pak, shkoi dhe i trokiti në derën e bamirësit. Bamirësi ju përgjigj thirrjes. Ky, pa një pa dy e shan tri herë në nënë! Bamirësi e pyeti pse kjo sharje! Ky ia kthej: ketë mirësi që më bëre sot me të mirë nuk mund ta kthej dhe e mira duhet të kthehet disi. Unë këto sharje kam, për të mirën që ma bëre! Dhe iku me bisht nder shalë!
Tregimi i dytë
Thuhet se Kryetarit të Lidhjes se Pejës, ATDHETARIT – Haxhi Zekës i kishin pas thënë se ka me të vra FILANI nga Peja. Ai ju thotë: “nuk ka mundësi se atë nuk e njoh dhe kurrë një të mirë në jetën time nuk ia kam bërë”!
Pas një kohe i thonë se ka me të vrarë Adem Zajmi! Ai, pasi u mendua pak tha: “ka mundësi se ati njeriu i kam bërë shumë të mira”! Dhe pas një kohe të shkurtër, Adem Zajmi e vrau të urtin – Haxhi Zekën.
Historia na mëson se ajo vrasje ishte bërë me porosinë e Beogradit. Pasi Beogradi e kishte paguar goxha mirë Zajmin për të bërë atë vrasje mizore. Vrasësit politik me pagesë kurrë nuk kanë munguar. E sidomos nuk kanë munguar e nuk mungojnë as sot vrasësit me laps, bile rrjetet politike edhe i kanë shumëfishuar. Njëqind vjet kemi jetuar me atë filozofi e politikë miti, që për pushtet djali e vriste babain e vëllai vëllanë, sot edhe ne e kemi vështirë që të shkëputemi nga ajo praktikë jetese e mbarsur me tradhti e pabesi! Jakov Xoxa thoshte: “Kur e mira dhe e keqja rrinë bashkë, dhënë e marrin nga njëra tjetra”.
Përfundimi
Bota mos mbet pa bamirës e atdhetarë, se njerëzillëk nuk do të mbetej as për farë! E fara e njerëzve të ligj është si pirravina, të cilën edhe tri vite ta lesh në tavan e ta gjuash në dhe përsëri shtohet ky bari i keq. E liga gjithë shtohet me shumicë, se tiranët ashtu sundojnë përmes çakejve! /FaktePlus