Atletico Madridi i jep mësim Juventusit të Cristiano Ronaldos
Atletico Madridi e ka mposhtur 2:0 Juventusin falë dy qendërmbrojtësve në ndeshjen e parë të 1/8 së finales mes tyre në Ligën e Kampionëve, në Wanda Metorpolitanotw mërkurën në Madrid.
Dy qendërmbrojtësi Gimenez dhe Diego Godin shënuan për t’i dhënë një fitore dhe një epërsi tejet të rëndësishme skuadrës së Diego Simeones kundër Juventusit të udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, raporton Gazeta Express.
Me gjithë vendimet e VAR-it që shkuan kundër tij, gjiganti spanjoll ishte skuadër bindëse ndaj vizitorëve nga Torino, dhe do të shkojë në ndeshjen e kthimit pas tri javësh me një epërsi të konsiderueshme në përpjekje për ta siguruar çerekfinalen.
Në një natë të keqe për të, Cristiano Ronaldo ishte ai që e nisi furishëm ndeshjen, duke u dhënë shpresë tifozëve të Zonjës së Vjetër, kur ishte pranë golit nga gjuajtja e lirë, por reagimi i Jan Oblak ishte më i përkryer, pas afro 10 minutave lojë.
Njëzet e pesë minuta brenda takimit, gjyqtari dha penallti për Atleticon, por pas rishikimit të incidentit në VAR, vendimi i tij u anulua dhe vendasit fituan goditje dënimit në cep të zonës, nga ku Antoine Griezmann goditi fort, por goli iu mohua nga Wojciech Szczesny.
Atletico e nisi fuqishëm pjesën e dytë, me Diego Costan dhe Antoine Griezmannin që lëshuan mundësi të arta. Së pari, Costa nuk e qëlloi portën edhe pse i vetëm përballë portierit polak të Juves. Dy minuta më vonë, sulmuesi francez qëlloi shtyllën, por vetëm pasi Szczesny devijoi topin mjaftueshëm me maje të gishtave.
VAR-i ndërhyu edhe njëherë në minutën e 70-të, kur Alvaro Morata shënoi me kokë, por goli i tij u anulua për një faull në Giorgio Chiellinin.
Atletico theu akullin kur Jose Maria Gimenez shënoi nga afërsia pas një harkimi nga këndi rreth dhjetë minuta para fundit, para se Diego Godin ta dyfishonte epërsinë vetëm pesë minuta më vonë.
Atletico do të udhëtojë drejt Torinos pas tri javësh për ndeshjen e kthimit me një epërsi të konsiderueshme.