ATK konfiskon 500 mijë euro pasuri të borxhlinjve
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka konfiskuar pasurinë e tatimpaguesve që nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për pagesën e borxheve.
Përmes një njoftimi për media, ATK njofton se vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 500 mijë euro.
“Procedura e konfiskimit në bashkëpunim me Policin e Kosovës, është zhvilluar ndaj gjashtë (6) tatimpaguesve sipas planit paraprak, ndërsa, vlera e mallrave dhe pasurisë së konfiskuar është 500,000 euro”, bëhet e ditur në komunikatën e ATK-së.
Përveç konfiskimit të pasurisë, aksioni në fjalë sipas ATK-së do të shtrihet edhe në mbledhjen e të gjitha gjobave mandatore, të cilat janë të pa-paguara.
ATK u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore.
“Aksionet e ngjashme do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, andaj inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit borxhlinj që t’i kryejnë me kohë obligimet tatimore, në mënyrë që të mos bëhen objekt i ndëshkimeve dhe i procedurave të mbledhjes së detyrueshme. Fokusi ynë vazhdon të mbetet rritja e nivelit të përmbushjes vullnetare të tatimpaguesve, sipas Legjislacionit Tatimor të Kosovës, si dhe trajtimi i borxheve tatimore”, përfundon komunikata për media e dërguar nga ATK.