Asnjë serb me koronavirus nuk është i shtrirë në QKUK
Asnjë nga 39 personat e infektuar me koronavirus që po trajtohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nuk është nga komuniteti serb.
Personat e konfirmuar me COVID-19, nga komunat veriore të Kosovës, që nga e mërkura kanë filluar të përfshihen në komunikatat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Deri më tani numri i të infektuarve me COVID-19, në Kosovë, ka shkuar në mbi 220 raste.
Një 66-vjeçare nga Malisheva ka vdekur mbrëmjen e së mërkurës, e cila ishte konfirmuar me COVID-19, më 4 prill. Ajo ishte trajtuar në repartin intensiv të Klinikës Infektive dhe sipas stafit aty, kishte edhe sëmundje tjera.
Nga Klinika Infektive, kanë njoftuar se 3 tyre, janë në gjendje të rëndë shëndetësore, dhe se ndodhen në mjekim intensiv.
Mes të tjerash, numri i personave që po kërkojnë të testohen vazhdimisht po rritet. Mjekja Vera Berisha-Ndreja ka thënë së muaji prill do të jetë muaji më kritik sa i përket situatës me virus.
Deri më tani në Kosovë, 6 persona kanë vdekur nga koronavirusi dhe 37 të tjerë janë shëruar.
Nga 22 komunat, të cilat tashmë kanë konfirmuar persona me koronavirus, komunat më të prekura janë, ajo e Malishevës me mbi 65 raste pozitive, e më pas ajo e Prishtinës me rreth 25 persona, të cilat pasohen nga Vushtrria e Mitrovica e Veriut.