Asnjë aeroplan nuk ateroi për një orë në Kosovë
Shoqata Sindikale e kontrollorëve të trafikut ajror, sot kanë mbajtur grevë një orëshe për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në Ligjin për pagat.
Kështu gjatë kohës sa mbahej sot greva, prej orës 8:00 deri në ora 9:00 asnjë aeroplan nuk ka ateruar dhe fluturuar në Kosovë.
Për nesër kjo sindikatë ka paralajmëruar se do të mbajë grevë 4 orëshe, për të vazhduar pastaj për ditën e premte nga ora 8:00 deri në ora 16:00, ditën e shtune nga ora 8:00 deri në ora 20:00.
Greva do të pezullohet të dielën për shkak të pavarësisë së Kosovës për të vazhduar të hënën me grevë 24 orëshe.
Kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, Artan Hasani ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror.
“Me miratimin e ligjit për paga neve si Agjenci na cenohet autonomia e institucioneve dhe ne jemi shprehur kundër këtij ligji”, tha ai.
Ai bëri të ditur se gjatë kohës së grevës, shërbime do të ofrohen vetëm për fluturimet ushtarake, ambulantore, shtetërore dhe atyre emergjente.
Po ashtu, ai ka ftuar presidentin që të mos e dekretojë ligjin për paga.