Askush nuk largohet nga lista, veteranët vazhdojnë të marrin miliona euro nga shteti
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) përkundër një vendimi të Prokurorisë nuk e ka larguar ende asnjë person nga lista e përfitimit të pensionit si veteran i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në një përgjigje për FaktePlus, zyrtarë të kësaj ministrie kanë treguar se aktualisht janë 38 mijë e 120 persona që marrin pagesa nga shteti si veteranë.
Prokuroria në aktakuzën e parë për rastin e njohur si “Veteranët” kishte përfshirë hiç më pak se 20.238 emra që dyshohet se marrin kundërligjshëm pension të veteranit të luftës.
Mirëpo, në përmirësimin që Gjykata Themelore e Prishtinës kishte kërkuar nga Prokuroria, kjo e fundit në aktakuzën e re, mes tjerash i ka hequr nga lista 738 persona që dyshohet se kanë përfituar rrejshëm në emër të veteranëve.
Por, edhe pse Prokuroria Speciale kishte hequr nga lista 738 persona, ajo ende nuk ka dorëzuar emrat në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për t’i larguar nga pagesa këta persona që dyshohet se po përfitojnë pa meritë si veteranë.
Kështu konfirmojnë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarë nga MPMS, të cilët thonë se nuk kanë pranuar kurrfarë vendimi nga gjykata për largim nga skema pensionale.
Musa Demiri ka thënë për FaktePlus se deri në muajin shtator kanë qenë 38 mijë e 120 persona që morën pagesa nga shteti si veteranë.
“Departamenti i Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Luftës nuk ka pranuar kurrfarë vendimi nga gjykata për largim nga skema pensionale për veteranët e luftës dhe nuk është larguar askush nga kjo skemë. Kurse sa i përket numrit të shfrytëzuesve si veteran të luftës deri në shtator të 2019 kanë qenë 38 mijë e 120 përfitues”, ka thënë Demiri.
Kujtojmë se me miliona euro shpenzohen çdo muaj nga kuleta e shtetit për përfituesit e skemave sociale në vend.
Pensionet bazike të moshës dhe ato kontributdhënëse del të jenë kategoritë që i kushtojnë më së shumti buxhetit të Kosovës.
E kategoria që e rëndon buxhetin më së shumti është ajo e veteranëve të UÇK-së. Brenda një muaji për ish- luftëtarët e UÇK-së shkojnë mbi 6 milionë euro.
Ndryshe Prokuroria Speciale e Kosovës vitin e kaluar pati ngritur aktakuzë kundrejt 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër: Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari./FaktePlus