ASK publikon raportin: Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2019 – Ku dhe si u shpenzuan paratë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin e radhës të quajtur: Llogaritë Qeveritare të Kosovës për vitin 2019. Ky publikim i ASK-në paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe, respektivisht tregohet se u mblodhën dhe si e ku u shpenzuan paratë e shtetit.
Sipas raportit të ASK-së, të hyrat e përgjithshme të Qeverisë në vitin 2019 ishin 2 miliard e 220.9 milionë euro.
E pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, që paraqesin 64% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj. 13%; dhe pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
Kurse sipas ASK-së, në vitin 2019, totali i shpenzimeve të Qeverisë ishte 2 miliard e 151.6 milionë euro, shkruan FaktePlus.
“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë pagat dhe mëditjet me pjesëmarrje 29%; kontributet sociale dhe përfitimet, me pjesëmarrje 25%; formimi i bruto kapitalit fiks me pjesëmarrje 23%; konsumi i ndërmjetëm, me pjesëmarrje prej 12%; ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në njoftim.
Sipas ASK-së, ky publikim është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010)./FaktePlus
Për më shumë informata lidhur me Llogaritë Qeveritare të Kosovës 2019 – Klikoni linkun KËTU.