Ashpërsohet situata, Erdogan u bën thirrje turqve që t’i bojkotojnë mallrat franceze
Erdogan ka thënë të shtunën se Macron ka problem me myslimanët dhe se ka nevojë për kontrolle të shëndetit mendor.
Deklarata ka bërë që Franca ta tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja.
“Njëjtë sikurse ata që thonë: ‘Mos blini mall të markave turke’ në Francë, edhe unë u bëj thirrje qytetarëve të mi nga këtu, që të mos i ndihmojnë kurrë markat franceze ose të mos i blejnë ato”, tha të hënën Erdogan.
Sipas Institutit të Statistikave në Turqi, Franca është burimi i 10-të më i madh i importeve në Turqi dhe tregu i shtatë më i madh për eksportet e Turqisë.
Macron është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamik”, duke thënë se ai kërcënon ta marrë kontrollin e disa komuniteteve myslimane në Francë.
Franca është tronditur këtë muaj nga prerja e kokës së një mësuesi nga një militant islamik, i cili është hakmarrë për përdorimin e karikaturave të Profetit Muhamed në një orë për lirinë e shprehjes.
Udhëheqësit evropianë duhet t’i japin fund agjendës “anti-islamike” të Macronit, tha Erdogan gjatë një fjalimi të mbajtur në fillim të një jave të aktiviteteve në Turqi për të përkujtuar ditëlindjen e Profetit Muhamed.
Turqia dhe Franca janë anëtare të aleancës ushtarake të NATO-s, por janë në mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë Sirinë dhe Libinë, juridiksionin detar në Mesdheun lindor dhe konfliktin në Nagorno Karabak. /rel