ASHAK-u analizon dialogun me Serbinë, tregon cilat duhet të jenë vijat e kuqe në fazën finale
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka përmbledhur dhe u ka bërë një analizë të gjitha marrëveshjeve me Serbinë të arritura në dialogun e Brukselit. Dokumentet e publikuara ku flitet për procesin e bisedimeve të zhvilluara nga viti 2011, ASHAK i ka shoqëruar me një komunikatë për media në të cilin adresohet edhe procesi i negociatave për normalizim të raporteve që pritet shumë shpejtë të rifillojnë.
ASHAK thekson se Kosova duhet t’i qaset shumë seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërkohë thonë se nuk duhet lëshuar rasti aktual kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian thonë se arritja e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi do të përmbyllte burimin e pasigurisë së rajonit.
“Dialogu me Serbinë duhet të merret më me seriozitet, duke mos e lëshuar rastin që nuk vjen shpesh, kur edhe SHBA, edhe Mbretëria e Bashkuar edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë të rëndësishme për të përmbyllur kapitullin e trazirave në Ballkan dhe për të garantuar integrimin euroatlantik të tij”, thuhet në njoftimin e publikuar nga ASHAK.
Gjithashtu, konsiderojnë se Republika e Kosovës duhet të ketë disa “vija të kuqe” në dialogun me Serbinë dhe se nuk duhet lejuar që të preket integriteti territorial i shtetit.
“1. Të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008;
2. Të ruhet rendi kushtetues, duke mos lejuar kompromise, të cilat shkojnë përtej asaj që është dhënë nga Plani Ahtisari, i inkorporuar tashmë në rendin kushtetues;
3. Të mos lejohet krijimi i mekanizmave shtesë kushtetues, derisa ekzistojnë mekanizma në nivel qendror dhe lokal të pjesëmarrjes në përpjesëtim të pushtetit për serbët dhe për komunitetet e tjera jo-shumicë, që shpesh e bëjnë vendim-marrjen në Kosovë tejet të vështirë. 4.Të mos lejohet që asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore që është në fuqi në Republikën e Kosovës. 5. Të gjitha zgjidhjet e tjera në dialog të bëhen duke u ruajtur Pavarësia e Kosovës e vitit 2008, si dhe rendi kushtetues dhe ligjor, si dhe të mos lejohet pandëshkueshmëria për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.”, janë pesë pikat që ASHAK specifikon teksa flitet për vijat e kuqe në dialog.
Autorët e analizës Arsim Bajrami e Gjuljeta Mushkolaj në raport kanë përfshirë edhe pikat që duhet t’i përmbajë marrëveshja përdundimtare me Serbinë. Sipas ASHAK-ut duhet që statusi i marrëveshjes të jetë në kapacitetin e një traktati ndërkombëtar, të kërkohet heqja e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe gjithashtu thuhet se duhet të bëhet demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë bazuar në pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që marrëveshja përfundimtare do të jetë e zbatueshme dhe që do të implementohet në Kuvendet respektive .
“Ndërkaq, disa nga elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë mund të jenë: 1. Lidhja e marrëveshjes duke pasur parasysh kapacitetet e plota shtetërore të të dyja palëve; 2. Statusi i marrëveshjes të jetë i atillë, në kapacitetin e traktatit ndërkombëtar, sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve; 3. Në marrëveshjen përfundimtare të kërkohet revokimi i Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe të përcaktohet anëtarësimi i Kosovës në mënyrë direkte në OKB; 17 4. Në marrëveshje të kërkohet që çështja e personave të zhdukur të trajtohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare; 5. Të kërkohet nga Serbia që të hapë të gjitha dosjet me informacione për personat e zhdukur dhe të zbulojë vendndodhjen e të gjithë personave që e kanë humbur jetën gjatë luftës dhe trupat e të cilëve janë zhvendosur për të humbur gjurmët e krimeve dhe për realizimin e këtij obligimi, BE si ndërmjetësues të sigurojë një emisar special; 6. Të hapet procesi i rikthimit në shtëpi të tyre të personave të zhvendosur, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, kur shqiptarët nuk ndjehen të sigurt të kthehen pa një marrëveshje përfundimtare, por edhe të të zhvendosurve qoftë nga Serbia në Kosovë, ashtu edhe nga Kosova në Serbi; 7. Të krijohet një grup punues nga përfaqësues të të dy shteteve për reparacione të dëmeve shtetërore të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit; 8. Në marrëveshjen përfundimtare të saktësohet obligimi i Serbisë që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe në BE; 9. Në marrëveshjen përfundimtare të përcaktohet statusi i të gjitha marrëveshjeve që janë lidhur deri më tani në procesin e dialogut KosovëSerbi dhe ato të inkorporohen në marrëveshjen përfundimtare; 10. Në marrëveshjen përfundimtare duhet të përcaktohet obligimi për tu bërë demarkacioni i kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, siç është rregulluar me Pakon e Ahtisaarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës; 11. Të krijohet një mekanizëm zbatues i marrëveshjes përfundimtare, në mënyrë që të ketë garanci që marrëveshja do të zbatohet; 12. Në marrëveshje duhet të ketë zotim të qartë se të dyja shtetet do ta ratifikojnë marrëveshjen në parlamentet e tyre”, thuhet në pjesën ku flitet për atë se çfarë duhet të përmbajë marrëveshja.
ASHAK-u gjithashtu insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces, në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës.
Në këtë raport, ASHAK ka evidentuar edhe lëshimet që janë bërë gjatë proceist të negociatave e që sipas tyre janë cilësuar si devijime të rënda.
“Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e shkuara ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit. Deri tani qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij”, thuhet në raport.
Ndër të tjera si mangësi në proces është evidentuar edhe mungesa e një platforme të qartë për dialogun.
“Përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë që shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për kredibilitetin e tyre politik. Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë, për interesa krejtësisht joinstitucionale, janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtetmbajtëse”, thekson raporti.
Tutje thuhet se besueshmëria që ka treguar Kosova ndaj aleatëve ndërkombëtar është interpretuar si gatishmëri për compromise të cilat shkelin 17 shkurtin dhe cënojnë integritetin territorial të Kosovës.
“Gjithashtu, trysnia ndërkombëtare për përshpejtimin e dialogut, përfshirë edhe një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, është interpretuar si gatishmëri e Kosovës për kompromise që tejkalojnë të gjitha limitet kushtetuese.
Lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës. Në diskutimin ndërkombëtar, për shkak të gatishmërisë për kompromise të këtilla, janë hapur tema tashmë të përfunduara më 17 shkurt 2008, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, konstaton raporti.
Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga ASHAK thonë se synojn të tërheqin vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Nga ASHAK në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, e cila i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike.