Asgjësohen 40 ton mish, Latifi: E pastaj çuditemi pse njerëzit ikin nga Kosova
Profesori universitar, Blerim Latifi, ka komentuar asgjësimin e 40 ton mish që u realizuar sot nga AUV, shkruan Gazeta Periskopi.
Latifi ka thënë se ky lajm do të ishte skandal për një shoqëri normale por për një si e jona po kalon si lajm i zakonshëm.
Latifi ka thënë se politika merret me akuza ndaj njëra-tjetrës dhe nuk ka kohë që të merret me tema të tilla.
Ai po ashtu ka thënë se kjo që po ndodh mund të konsiderohet si bioterrorizëm.
Në fund, Latifi ka thënë se me këtë gjendje nuk kemi pse habitemi pse njerëzit duan të ikin nga Kosova.
“Gjatë këtij viti Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar rreth 40 ton mish, i cili, ndonëse me afat të skaduar të përdorimit, ka qenë gati për t’u shitur në marketet kosovare.
Një skandal i tillë do të alarmonte një shoqëri normale, por ne, fatkeqësisht, nuk jemi e tillë. Neve nuk ka bën përshtypje ky lajm. Kuvendi nuk ka kohë të merret me këso gjërash. Ai ka gjëra më të rëndësishme përpara. Për shembull: partitë në pushtet dhe opozita të akuzojnë dhe fyejnë njëra tjetrën, sa më shumë që është e mundur, në mënyrë që militantët e tyre të kenë se me çka të kalojnë kohën deri në zgjedhjet e rradhës.
Në anën tjetër, mediat, një ngjarje të tillë kalojnë thjeshtë si një lajm të kronikës ditore, të cilës ia zë vendin kronika e ditës tjetër. Për to më me rëndësi janë deklaratat e shpifura të këtij apo atij politikani, se shëndeti i popullatës.
Dhe nuk është vetëm ky lloj kërcënimi me të cilin përballen përditë njerëzit e këtij vendi. Shporta ditore e qytetarit kosovar përditë mbushet me produkte të skaduara, të të gjitha llojeve.
Tregtia e barnave të flasifikuara është një storie tjetër, po aq kriminale sa kjo e mishit. Krejt kjo pothuajse i ka tiparet e bioterrorizmit.
E pastaj çuditemi pse njerëzit qëndrojnë në kolona të gjata para ambasadave për të marrë një vizë largimi nga ky vend”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij në Facebook.