Asgjësohen 21 ton mish të prishur që BIK iu shpërndante familjeve në nevojë
21 ton mish që mbahej në depon e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), që ndodhet në Veternik të Prishtinës, është agjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Mish ky që dyshohet se shpërndahej për familjet në nevojë për nder të festës së Kurban Bajramit.
Fotografitë që ka siguruar Agjencia e Lajmeve FaktePlus tregojnë edhe për bartjen joadekuate të këtij mishi përmes kombibusit i cili nuk ka frigorifer për ruajtjen e produkteve të tilla.
Sipas burimeve të FaktePlus, prej të cilave i ka siguruar këto fotografi, thonë se këtë mish e ka shpërndarë Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
LEXO EDHE: Mishi i prishur i kurbanëve dyshohet t’u jetë shpërndarë familjeve në nevojë (Foto)
AUV ka verifikuar se ky mish ishte i prishur dhe nuk guxonte të konsumohej. AUV ka konstatuar se në depon e BIK nuk ka pasur kapacitet për ftohje dhe se ngrirja nuk është bërë me kohë.
“Inspektorët Veterinarë të Agjencisë se ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë kanë realizuar kontrollin e depos. Aty kanë hasu në një sasi prej 21 tonë mish lloji i gjedhit. Pas inspektimit të detajuar, inspektorët kanë vlerësuar se fillimisht mishi i deponuar aty nuk është ngrirë me kohë”, tregon zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi.