Asamblisti i Shpend Ahmetit që punon DJ në biznesin e Uran Ismailit
Ditë më parë është publikuar deklarimi i pasurisë për zyrtarët shtetërorë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Më publikimin e pasurive, kanë dalë në shesh edhe disa nga punët tjera që bëjnë zyrtarët e shtetit.
Një punë jo fort të zakontë e ka bërë publike edhe Arian Berisha, që është këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës nga PSD-ja e Shpend Ahmetit.
Berisha ka treguar se kohë pas kohe punon edhe si DJ.
E këtë punë asamblisti i PSD-së po e kryen në lokalin “Bon Vivant”, që si pronar ka edhe Uran Ismailin e PDK-së.
Në deklarimin e pasurisë, asamblisti Berisha ka treguar se në këtë lokal bënë muzikë që nga viti 2018. Ai ka treguar se për këtë punë paguhet 300 euro.
Berisha ka bërë me dije si mbi vete ka edhe biznesin me emër “Adrian Berisha BI” në llogarinë e të cilës ka mbi 1 mijë euro.
“Po ashtu posedoj biznesin tim individual me emrin Adrian Berisha BI,…,dhe në xhirollogarinë e këtij biznesi në NLB posedoj 1408. Më lartë në rubrikën për pasuritë e luajtshme e kam cekur që si familje posedojmë veturën Renauelt Megane 4 e cila është në pronësi të vllahut tim. Ketë pikë po e ceki për arsye se ne rubrikën pronësia nuk po figuron termi vëllai,andaj po e ceki këtu”, ka sqaruar Berisha në fund të formularit.
Berisha me profesion është ekonomisti i diplomuar dhe ka përvojë të më hershme në menaxhim të bizneseve. Ai në biografinë që ka paraqitur në ueb-faqen e komunë së Prishtinës ka treguar se kohë më parë ka qenë menaxher në Bon Vivant, Matisse, Konak, Prive.
“Përveç punës si specialist i marketingut në Pi Communications dhe Rolling Rabbits, Adriani po ashtu ka menaxhuar shumë lokale gastronome si Bon Vivant, Matisse, Konak, Prive; bashkëthemelues i çokollatës vendore me emrin amel si dhe së fundmi është zgjedhur nënkryetar i “Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës”. Koordinator për marrëdhënie me publikun në “TedxPrishtina” si dhe bashkëthemelues i pazarit “Christmas Flea Market” ku qëllimi është grumbullimi i rrobave dhe fondeve për familjet në nevojë”, thuhet në biografin e tij.
Kurse, në deklarimin e pasurisë Uran Ismaili ka deklaruar se posedon aksione në tri kafene në Prishtinë. Ismaili është bashkëpronar në kafenenë “BonVivant”, “Matisse” dhe “Amel”.
“Përshkrimi i hollësishëm i aksioneve të poseduara, është aksionar në bizneset (Bonvivant, Matisse, Amel) Martius L.L.C. në vlerë prej 30,000.00 euro, ndërsa aksionar në Printques me vlerë prej 3,000.00 euro.”./FaktePlus