“As dëshmorët po të ngjallën s’kanë të drejt të falin tokë, e lerë më të gjallët”
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nuk është mirë të magjepsen për një marrëveshje të ardhshme me Serbinë, derisa janë arritur 33 marrëveshje në dialogun disa vjeçar mes dy vendeve dhe nuk janë respektuar.
Kurti bëri këto deklarata në kuadër të konferencës së organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) me temë “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
“Ne e dimë çka do Serbia, ajo e thotë hapur dhe qartë. Delimitim, përkufizim me shqiptarët, praktikisht ndarje të Kosovës, për të vazhduar pastaj demilitim me Kroacinë për ndarjen e Bosnjës. Projekti është i vjetër, që besa as akterët nuk janë të rinj”, tha Kurti.
Kreu i Vetëvendosjes shtoi se pyetja duhet të shtrohet se çka donë Kosova, sepse për Serbinë tashmë e dinë.
Ai e ka theksuar domosdoshmërinë e dakordimit të spektrit politik në Kosovë, karshi kërkesave ndaj Serbisë.
“Pesë liderë politikë i kanë gjashtë mendime. Është e domosdoshme që të dakordohemi se çka duam në karshi Serbisë. Unë jam i bindur që për kërkesat tona ndaj Serbisë ne mund të arrijmë konsensus. Njohja e pavarësisë së Kosovës, zbardhja e fatit të pagjeturve, reparacioni, sukcesioni, reciprociteti e të tjera, këto janë gjërat që mund të pajtohemi. Ne, pra duhet të dimë çka duam dhe rreth qëllimit tonë të përbashkuar të jemi unik”, theksoi ai.
Duke folur për idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, Kurti pati një porosi.
“As dëshmorët ndër varre po u ngritën nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës, e lerë më të gjallët”, u shpreh Kurti.
Lideri i Vetëvendosjes shtoi se karshi Beogradit, duhet t’iu jepet prioritet serbëve të Kosovës.
“Serbëve të Kosovës duhet t’iu jepet prioritet, me Nenad Rashiqin duhet të takohemi 5 herë, e me Vuçiqin një herë, e jo me Vuçiqin pesë herë, e më Rashiqin asnjëherë”, tha Kurti.
Ai theksoi se për herë të parë në histori e keni vrasjen e Oliver Ivanoviqit ku serbët nuk e drejtojnë gishtin kah shqiptarët, sepse edhe vet ata dyshojnë së vrasja e tij ka ardhur nga Beogradi./FaktePlus