Arsyet pse s’duhet t’i lani dhëmbët menjëherë pas ngrënies
Larja e dhëmbëve menjëherë pas konsumimit të mëngjesit është e dëmshme, sipas dentistëve. Ky veprim do t’i dëmtojë dhëmbët dhe do t’i heqë atyre shkëlqimin, shkruan “The Sun”.
Në fakt, larja e dhëmbëve pas çdo vakti është një ide e keqe dhe dentisti i famshëm Dr Richard Marques shpjegon arsyen pse.
“Smalti që vesh dhëmbët dobësohet përkohësisht pas ngrënies për shkak të acideve të pranishme në ushqim, kështu që duke i larë menjëherë pasi hani, rrezikoni ta dëmtoni atë”, ka shtuar ai.
Ushqimet dhe pijet që janë të pasura me acide konsumojnë smaltin që mbron dhëmbët, një proces i njohur si erozioni i dhëmbëve. Kjo ndryshon pamjen e dhëmbëve tuaj dhe i bën ata më të dobët, duke rritur rrezikun që të shfaqen njolla.
“Smalti është i rëndësishëm sepse është një nga ‘pengesat’ e trupit që mbron dhëmbët. Nuk mund të restaurohet, kështu që është jetike të kujdesemi për të. Është një debat i gjerë se kur është më mirë t’i lani dhëmbët, por këshilla ime profesionale është se në fakt nuk ka rëndësi nëse i lani para ose pas ngrënies. Ajo që ka rëndësi është koha”, ka deklaruar Marques.
Duhet të prisni të paktën 30 minuta pasi keni ngrënë para se të lani dhëmbët, ose të paktën 10 minuta para se të hani, për të siguruar që përbërësit aktivë në pastën e dhëmbëve të kenë një shans për të bërë punën e tyre dhe për të mbrojtur dhëmbët.”
Në vend që të lani dhëmbët pasi të keni ngrënë, mund t’i shpëlani ato vetëm me ujë për të larguar mbetjet./agroweb