Arsyeja që Avni Arifi nuk po e lë ende Qeverinë
Avni Arifi, i cili është shef në kabinetin e kryeministrit Ramush Haradinaj, si dhe anëtar i delegacionit shtetëror për dialog, ka kohë që pritet t’i lë postet që mban aktualisht në Kosovë.
Ai gjithë këto detyra detyrohet t’i lë, pasi tashmë edhe ka marrë dekretimin nga presidenti i vendit për t’u bërë ambasador.
Në fakt presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka dekretuar Avni Arifin si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të muajit janar të këtij viti.
Por, nisja e punë se re Arifit është duke ju zgjatur goxha shumë. Ai edhe pas gati dy muaj nga dekretimi nuk është nisur për shtetet arabe.
“Nuk kam shkuar sepse ende nuk kanë përfunduar procedurat. Kjo merr kohë 2 deri në 12 javë”, tha shkurt Arifi për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus.
Ndërsa në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës nuk e dinë se kush do të zë vendin e Avni Arfiit në disa pozitat që ai mban aktualisht.
“Ende nuk është vendos kush e zëvendëson z.Arifi. Ai është ende në detyrë”, thuhet shkurt në përgjigjet e Zyrës së Kryeministrit dërguar për FaktePlus.
Kujtojmë se Arifi është dekretuar si ambasador më 31 janar të këtij viti nga presidenti Thaçi, ndonëse qysh nga muaji shtatori i vitit të kaluar ishte propozuar nga partia e tij për ambasador.
Avni Arifi deri tani ka qenë këshilltari kryesor i kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe shef i ekipit negociator në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndonëse Arifi është dekretuar si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, Kosova vazhdon të mos ketë ambasadorë edhe në 7 vende tjera si Australi, Shqipëri, Suedi, Mbretëri e Bashkuar, Arabi Saudite, Turqi si dhe në Itali, si dhe vazhdon të mos ketë shef të Zyrës ndërlidhëse në Beograd./FaktePlus