Arsyeja pse u anulua projekti i shtatores së Adem Demaçit
Me rastin e shënimit të njëvjetorit të vdekjes së veprimtarit Adem Demaçi është vënë edhe gurthemeli i shtatores së tij në Prishtinë, por që me modelin e projektuar nuk u pajtuan familjarët e veprimtarit të ndjerë.
Ndërtimi i shtatores te “Rrethrrotullimi i flamurit”, në hyrjen jugore të Prishtinës, ka qenë planifikuar të përurohej më 28 nëntor të këtij viti, por një gjë e tillë nuk dihet nëse do të mund të ndodhë.
Kjo për shkak mospajtimeve të familjarëve për projektin e shtatores, dhe tani anulimit edhe zyrtarisht të projektit dhe kthimin e gjithë procesit nga e para. Njoftimi për analizimin e projektit është bërë edhe në ueb-faqen e E-Prokurimit, shkruan FaktePlus.
Siç thuhet në arsyetim deri të anulimi erdhi për shkak ngjarjeve dhe arsyeve objektive.
“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, kështu thuhet në arsyetimin e anulimit të procedurës së prokurimit për këtë tender.
Tutje në njoftim thuhet se operatorët ekonomikë mund t’i tërheqin ofertat që kanë dorëzuar dhe tërheqjen mund të bëjnë deri më 15 gusht ora 15:00.
Kurse, në njoftimin publik në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik ishin cekur edhe kushtet e pjesëmarrjes për konkursin e projektit me titull “Ndërtimi i shtatores së Adem Demaçit” .
Por aty nuk është bërë e ditur shuma që zyra e kryeministrit në dorëheqje Haradinaj ka planifikuar të shpenzoj në këtë shtatore.
Në mbledhjen e mbajtur më 31 korrik 2018, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë.
E kostoja e ndarë nga Qeveria e kishte bërë të ditur shkrimtari Ilir Muharremi përmes rrjetit social “Facebook”.
“124 mijë euro është shuma që është ndarë nga Qeveria për shtatoren e Adem Demaçit. E mira e kësaj është që skulptoret duhet ti nënshtrohen konkursit dhe shpresoj të fitoj bucet më e mirë. Mos harroni krijojeni shpirtin dhe karakterin origjinal të Demaçit sepse jemi bërë gaz me skulptura qesharake.’, prononcoi ai.
Modeli i përzgjedhur për shtatoren e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi u kundërshtua nga djali i tij Shqiptari.
“Desha ta shpreh një shqetësim edhe publikisht. Ne si familje nuk jemi pajtuar që kjo shtatore dhe ky model mos të jetë model ideor i ngritjes së shtatores në këtë formë. Mendojmë që ka zgjidhje edhe më të mira për zgjidhje të një projekti për shtatoren me bacën Adem Demaçi”, kishte thënë djali i Adem Demaçit.
Pas kësaj deklarate menjëherë reagoi Jahja Lluka nga zyra e kryeministrit, duke thënë se do të kontribuojnë të gjithë që shtatorja e Adem Demaçit të jetë më e mira.
Nuk kishte si të mungonte edhe reagimi i autorit të projektit ideor i përzgjedhur nga komisioni përkatës, Gëzim Muriqi.
Muriqi ka dalë fitues me pikët teknike-artistike, por ky vendim ende nuk është bërë publik nga komisioni, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vet Muriqi./FaktePlus