Arrihet marrëveshja, Sane kalon në Bayern për 60 milionë euro
Anësori i Manchester City, Leroy Sane, do t’i bashkohet gjigantit gjerman Bayern Munich, pasi këto dy klube ranë në ujdi për të për një shumë prej 60 milionë euro.
Kampioni gjerman do t’ia paguajë gjigantit anglez një shumë fillestare prej 49 milionë euro për përfaqësuesin gjerman, ndërsa 11 milionë euro të tjera në bazë të paraqitjeve të tij.
Po ashtu, City do t’i fitojë 10 për qind të parave nga shitja e tij e mundshme në të ardhmen.
Sane, i cili kishte vetëm edhe një vjet kontratë me klubin nga Mançesteri, do të udhëtojë drejt Munihut në 24 orët e ardhshme, për të nënshkruar kontratë me Bayernin dhe nuk pritet të luajë më për City këtë sezon.
Ai do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Bayernin dhe besohet se do të ketë pagë të majme vjetore, plot 22 milionë euro, më shumë seç ishte i gatshëm t’i ofronte City.