Arrestohet personi që i mbante nën kontroll dhe i shfrytëzonte për punë të detyruar 7 të mitur
Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se rekrutoi, strehoi dhe i shfrytëzoi për punë të detyruar shtatë viktima, të cilët kanë qenë të moshës së mitur.
Arrestimin e të dyshuarit e ka kryer Sektori Qendror i Hetimeve nga Drejtoria për Hetimin Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, gjatë veprimeve hetimore në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë Departamenti për të Mitur.
“Me datë 21.07.2020 është arrestuar një person i dyshuar, për Veprën Penale “Trafikim me njerëz”, i cili dyshohet se ka rekrutuar, strehuar, transportuar dhe i ka mbajtur nën kontroll (7) shtatë viktima të mitur (meshkuj/kosovarë) duke i shfrytëzuar për punë të detyruar”, thuhet në një njoftim të Policisë.
Tutje bëhet e ditur se gjatë realizimit të këtij plani për arrestimin e të dyshuarit si prova janë konfiskuar përkohësisht, një telefon mobil dhe dy fletore të evidencave.
Viktimat e mitura janë trajtuar sipas Proceduarve Standarde të Veprimit për Viktima të trafikimit, ndërsa me vendim te Prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore./FaktePlus