Arrestohen qindra protestues në Bjellorusi
Moskë, 15 nëntor (Reuters) – Policia bjelloruse ka arrestuar qindra protestues gjatë demonstratave masive në rrugë, derisa qytetarët po brohorisnin “Po dal”, duke iku referuar fjalëve të fundit të shkruara të një protestuesi antiqeveritar që vdiq javën e kaluar.
Një dëshmitar në kryeqytetin Minsk ka thënë se policia ka përdorur gazin lotsjellës, plumbat e gomës dhe ka hedhur granata për t’i shpërndarë turmat e qytetarëve që po demonstronin kundër presidentit Aexander Lukashenko.
Bjellorusia është zhytur në krizë të thellë politike për muaj me radhë. Dhjetëra e mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë çdo javë pas zgjedhjeve të kurdisura të gushtit, akuza të hedhura poshtë nga Lukashenko. Ata kërkojnë që lideri veteran, në pushtet qe 26 vjet, të japë dorëheqje.
Tubimet në rrugë janë rikthyer pas vdekjes së Roman Bondarenkos, një 31-vjeçar që protestonte vazhdimisht kundër pushtetit të Lukashenkos, diktatorit të fundit të Evropës. Ai ka vdekur të enjten në një spital të Minskut pasi, sikur dëshmojnë demonstruesit, ishte rrahur fort nga forcat e sigurisë.
Ministria e Brendshme i ka hedhur poshtë akuzat dhe përgjegjësinë për vdekjen e Bondarenkos, duke theksuar se ai ishte plagosur rëndë nga turma e protestuesve.
Forcat e sigurisë me gaz lotsjellës dhe mburoja kanë vërshuar rrugët e kryeqytetit të dielën derisa qytetarët ishin mbledhur në sheshin ku ishte arrestuar Bondarenko, duke mbajtur flamuj të opozitës. Policia ka hedhur përtokë flamujt dhe ka shkelmuar protestuesit. Disa prej tyre janë arrestuar dhe janë futur nëpër kamionçina, ka thënë një dëshmitar.
Pamjet e siguruara nga mediat lokale dëshmojnë se si forcat e sigurisë po futeshin nëpër banesa në kërkim të protestuesve. Në një xhirim është parë se si tre persona mundoheshin t’i jepnin ndihmë një protestuesi që duket se kishte humbur vetëdijen prej dhunës së policisë.
Grupi “Viasna” (Pranvera), i njohur për monitorimin e të drejtave të njeriut në ish-republikën sovjetike, ka bërë të ditur se 504 persona janë arrestuar gjatë protestave të së dielës në mbarë vendin.
Sviatlana Tsikhanouskaya, opozitarja më e njohur e Lukashenkos, ka thënë nga Lituania, ku është arratisur pas kërcënimit me arrestim, se mbështet tubimet e së dielës në kujtim të Bondarenkos.
Bashkimi Evropian e ka cilësuar vdekjen e Bondarenkos “rezultat të turpshëm dhe zemërues të veprimeve të autoriteteve bjelloruse, që kanë kryer shtypje të dhunshme dhe të drejtpërdrejtë të popullsisë së tyre”.