Arratisjet e të burgosurve, formohet komision për ndërtimin e dhomave të sigurta në QKUK
Mungesa e dhomave të sigurta për trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ka bërë që nga ky institucion të ikin me dhjetëra të burgosur, të cilët kanë qenë duke marrë trajtim shëndetësor. Pas rastit të fundit është formuar një komision me përfaqësues nga të gjitha institucionet, i cili pritet të bëjë zgjidhje për sigurimin e dhomave të sigurta në QKUK.
Rreth dy javë më parë, është rasti i fundit kur një person që ishte nën masën e paraburgimit, ka arritur të arratiset nga QKUK-ja. U raportua se para arratisjes së tij, gardianëve që ishin duke u kujdesur për të, iu është shërbyer pije, nga e cila dyshohet se i ka vënë në gjumë, duke iu mundësuar arratisjen.
Kështu për këtë rast, përgjegjës u nxorën dy gardianët të cilët ishin të angazhuar në kohën e arratisjes së këtij të paraburgosuri. Gardianët fillimisht u suspenduan dhe pastaj u arrestuan për këtë rast.
E lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), i cili ka kërkuar që mos të merren në qafë gardianët, por të ndërtohet një spital brenda sistemit të burgjeve.
Mirëpo, brenda hapësirave të QKUK-së janë disa dhoma të sigurta, të cilat gjenden në objektin e Psikiatrisë, porse ato asnjëherë nuk janë shfrytëzuar.
Se këto dhoma nuk janë përdorë, e pranojnë edhe nga Ministria e Drejtësisë, zyrtarët e së cilës i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus se rastet e shumta dhe të ndryshme shëndetësore të të burgosurve, ka ndikuar që këta të fundit të mos mund të trajtohen në një vend.
Po ashtu, faktor tjetër për mos përdorimin e dhomave të sigurta që janë në objektin e Psikiatrisë, sipas Ministrisë së Drejtësisë është edhe fakti se QKUK nuk ka staf teknik të mjaftueshëm për trajtimin e të burgosurve.
“Na lejoni të ju njoftojmë se këto dhoma gjenden vetëm në Repartin e Psikiatrisë dhe përdoren për raste psikiatrike. Meqenëse kemi të bëjmë me probleme të shumta shëndetësore të të burgosurve, është e pamundur të trajtohen të gjitha kategoritë në një vend. Këto dhoma deri më tani nuk janë përdorë, sepse SHKSKUK nuk ka pasur staf teknik, si dhe për shkak të natyrës së sëmundjeve ka qenë e pamundur trajtimi i të gjitha kategorive në të njëjtin vend”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Si do qoftë, pas ikjes së fundit, nga Ministria e Drejtësisë thuhet se tashmë është formuar komisioni me përfaqësues të të gjitha institucioneve, i cili pritet të bëjë zgjidhje për ndërtimin e dhomave të sigurta.
“Komisioni i formuar nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK), në kuadër të cilit jemi edhe ne si Ministri është duke punuar për të caktuar dhomat e sigurta, kryesisht nëpër repartet ku rastet janë më të shpeshta. Dhomat do të sigurohen me pajisje teknike dhe kamera, si dhe do të jenë në funksion vetëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK)”, bëhet e ditur në përgjigje.
Ndërsa Qendra Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ka dhënë versionin e saj lidhur me ikjet e të burgosurve brenda hapësirave të saj.
Zyrtarët për informim të QKUK-së në një përgjigje me shkrim për FaktePlus kanë thënë se ky institucion nuk e ka për obligim t’i ruajë të burgosurit, pasi që janë gardianët ata që kanë përsipër sigurinë.
“QKUK ju njofton se Shërbimi Korrektues i ka punëtorët e sigurimit (gardianët) që kujdesen për sigurinë e të burgosurve, edhe pse janë të shtrirë në QKUK. Pra, është përgjegjësi e gardianëve të ruajnë të burgosurit që janë të shtrirë në klinikat tona. Sa i përket dhomave të sigurta, është formuar një komisioni me përfaqësues nga QKUK, Shërbimi Korrektuese dhe përfaqësues nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve që vepron në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, e që pritet të bëjnë zgjidhje”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së.
Ndryshe, arratisje të të burgosurve nga hapësirat e QKUK-së kanë ndodhur shpeshherë. E po ashtu, edhe pse burgjet në Kosovë, konsiderohet se janë të sigurta, arratisje në disa raste ka pasur edhe nga këto institucione./FaktePlus