Arratisja e shqiptares nga Wuhani
Pritjet e Silva Doçit janë se tash e tutje shumë persona do ta lidhin me koronavirusin. Shtetases së vetme shqiptare, që jetonte në qytetin kinez Wuhan, vatrën e shpërthimit të epidemisë vdekjeprurëse, përveç shqetësimeve e ndryshimit të planeve, i ka dhënë edhe përjetime që thotë se do t’i kujtojë gjatë gjithë jetës.
Pret edhe shumë pyetje për këtë periudhë. Thotë se me kënaqësi do t’i ndajë përvojat e saj me të tjerët, derisa tregon se do të ishte e padrejtë po të thoshte se gjatë kësaj periudhe nuk ka ndier frikë.
Doçi është evakuuar nga Kina ditë më parë me ndërhyrjen e diplomacisë shqiptare dhe asistencën e shtetit të Turqisë. Tani ndodhet në një bazë karantine në shtetin e Turqisë, ku janë duke iu bërë të gjitha analizat, para se t’i jepet leja për t’u kthyer në Shqipëri, në vendin e saj të lindjes.
Njohja me virusin
Silva që në Kinë studion për diplomaci, religjion dhe politikë, tregon që për herë të parë ka dëgjuar për koronavirusin në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur sapo ishte kthyer nga Koreja e Jugut pas disa ditë pushimesh për Krishtlindje.
“Në ato ditë flitej për një virus që mund të ishte SARS, por që nuk përhapej nga njeriu në njeri”, rrëfen ajo në bisedë me gazetën. Kjo e ka bërë të mos e marrë seriozisht situatën. “Mendohej që nuk transmetohet nga njeriu në njeri, mendohej se ishin të prekur vetëm ato që kishin të bënin me pazarin e produkteve të detit nga thuhet se ka dalë virusi”.
Reagimi i saj i parë pas kësaj ishte që të mos hante produkte deti për disa kohë. Por kjo ndryshoi pas mesit të janarit, atëherë kur u shpërnda lajmi për një tip virusi të panjohur më parë.
“Nisa të lexoj më shumë e të interesohem”, tregon Silva, e cila nga viti 2009 ka jetuar në Wuhan.
Përhapjen e shpejtë të virusit thotë ta ketë ndihmuar periudha kur u shfaq.
“Përhapja e virusit ka filluar që në fund të vitit të kaluar, por mori përmasa të mëdha në mes janari, që përkoi edhe me fillimin e pushimeve të vitit të ri kinez, i cili shoqërohet me një numër shumë të madh lëvizjesh nga një vend në një tjetër, gjë që e ndihmoi përhapjen e virusit jo vetëm në Kinë, por edhe jashtë saj”, rrëfen ajo.
Qyteti në karantinë
Ndalimi i transportit rrugor, hekurudhor e ajror, tregon se Wuhanin e shndërroi në qytet të mbyllur.
“Gjërat ndodhen shumë shpejt dhe qyteti i Wuhanit, ku edhe filloi virusi e ku unë jetoj prej shumë vitesh, u mbyll dhe nuk lejohej në asnjë mënyrë transporti qoftë për dalje ashtu edhe për hyrje duke përfshirë fluturimet, trenat, si edhe rrugët tokësore”, tregon Silva, studente në doktoratë në vitin e katërt.
Kjo e shtyri që edhe ajo të ndërmarrë veprime preventive…..