Arifi u largua nga Kosova, Haradinaj gjeti menjëherë zëvendësuesin
Shefi i deritashëm i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj, Avni Arifi para disa dite është zgjedhur ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuara të Arabisë dhe tashmë e ka lëshuar Kosovën.
Kështu me “ikjen” e Arifit, Ramush Haradinaj ka mbetur pa njërin nga personat më të afërm në Qeveri, si dhe pa një nga anëtarët e kryesisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Por, Haradinaj nuk e ka lënë bosh pozitën që mbante Avni Arifi në Qeveri si shef i kabinetit, pasi në këtë pozitë e ka emëruar menjëherë këshilltarin e tij, Selim Selimin.
Këtë e ka konfirmuar të mërkurën për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus zyrtarja për informim në Qeverinë e Kosovës, Donjeta Gashi.
“Në pozitën e shefit të kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj është emëruar këshilltari i tij, Selim Selimi. Ai tashmë do jetë drejtues i kabinetit të kryeministrit”, është shprehur Gashi.
Kujtojmë se Selim Selimi është këshilltar i kryeministrit Haradinaj, ndërsa më herët ai ka këshilluar edhe ish- presidenten Atifete Jahjaga. Selimi ka studiuar në SHBA, në Universitetin “Duke”.
Kurse Avni Arifi është llogaritur të jetë njeriu më i afërt i kryeministrit Haradinaj. Ai ishte edhe anëtar i kryesisë në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Dekretimi i tij për emërim si ambasador në Emirate është bërë muaj më parë nga presidenti Hashim Thaçi. Ndërsa këtë javë ai ka marrë dritën jeshile nga institucionet arabe për të marrë postin e ambasadorit rezident atje./FaktePlus