Arianit Shehu: I takon Izraelit që t’i tregojë Kosovës se ku ta vendosim ambasadën në shtetin e tyre
Arianit Shehu, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik Kombëtar për Lindje të Mesme (NDI), ka thënë se i takon shtetit të Izraelit që t’i tregojë Kosovës se ku ta vendosim ambasadën në shtetin e tyre.
“Qeveria e Kosovës e ka nënshkruar marrëveshjen për njohjen nga shteti i Izraelit. I takon Izraelit si nikoqir, të na tregojë se ku ta vendosim ambasadën në shtetin e tyre. Duhet gjithmonë t’u jemi besnik interesave strategjike të shtetit të Kosovës dhe të kombit shqiptar”.
Shehu në Info Magazine në Klan Kosova, theksoi që ne duhet t’i qëndrojmë besnik marrëveshjes që e kemi nënshkruar me shtetin e Izraelit.
“SHBA-të janë aleat i joni i ngushtë dhe çfarëdo vendimi, në çfarëdo mënyre i kthen mbrapa raportet tona me SHBA-të. Pa dyshim, është kundër interesave të shtetit tonë. Ne duhet t’i qëndrojmë besnik marrëveshjes që e kemi nënshkruar me shtetin e Izraelit dhe të procedojmë tutje me hapjen e ambasadës atje”.
“Qëllimet strategjike të politikës së jashtme nuk i takojnë një personi apo një qeverie në ardhje apo në ikje. Duhet të jenë interesa strategjike kombëtare. Një përkujtim është që të mos vendosim një precedan në rast të qeverive të ndryshme, të marrin vendime të ndryshme sepse atëherë çka do të ndodhte nëse qeveritë të ndryshme të vendeve të cilat na kanë pranuar e rishqyrtojnë çështjen e pranimit të shtetit të Kosovës”.
Ai ka theksuar që qeveria në ardhje sipas tij, duhet të jetë shumë e kujdesshme që të mos krijojnë precedane ndërkombëtare që “secila qeveri të marrë vendime që i kundërshtojnë vendimet e qeverive paraprake”.
“Duhet të kemi një konsistencë në aspekt të qëllimeve strategjike kombëtare, Ato nuk i takojnë asnjë qeverie asnjë personi, qëllim strategjik i kombit tonë ka qenë dhe do të jetë bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të dhe çfarëdo veprimi teknik i çfarëdo qeverie, nuk duhet të vendosë një pikëpyetje atë partneritet”.
“Vendimi për njohjen e shtetit të Izraelit është një vendim shumë strategjik dhe jemi në fazën që duhet të implementohet ai vendim”.