“Ari që s’po shkëlqen”- Pamje e rrëfime nga nëntoka e Trepçës (Video)
Kjo është Trepça, emër që i madh e i vogël e ka të njohur në Kosovë. Nga këtu nxjerren xehet dhe mineralet e shumta e të çmuara. E për të parë nga afër këtë pasuri nëntokësore të Kosovës edhe ne një ditë jemi veshur me petkun e minatorit dhe u lëshuam nën tokë 800 metra.
Pantallona e xhaketa me ngjyrë të kaltër, çizme të verdha gati deri te gjunjët, si dhe helmeta të bardha, e pajisje tjera qëndrojnë të varura në këtë dhomë e presin të vishen nga minatorët për çdo ditë. Pa këto askush nuk do të mund t’ia mësyj minierës së “Trepçës”.
Kështu edhe ne vishemi e marrim elektrikun për të shkuar në thellësisë e tokës.
Pasi u pajisëm e morëm udhëzimet arrijmë tek dera, që lartë ka mbishkrimin “ME FAT”. E posa të hyjmë për pak metra s’ka si të jetë ndryshe. Pak dritë bën vetëm eletriku i helmetes në gjithë këtë errësirë.
Ngadalë hyjmë në thellësi apo nëpër horizonte që kanë formën e përmbysur të shkronjës “U”. Aty gjenden sinjalizuesit e liftit të hekurt. Krejt pranë këtij lifti, gjendet një kabinë e vogël dhe telefoni përmes të cilës komunikojnë sinjalizuesit e 12 horizonteve në mënyrë që minatorët të shkojnë të sigurt në lokacionin ku do bëjnë punën.
“Ruaju”, është britma që dëgjohet posa lifti fillon të lëshohet poshtë. Kjo shërben për t’i paralajmëruar minatorët dhe të mos shfaqet ndonjë problem.
Për pak kohë arrijmë në horizontin e 10-të, aty ku bëhet nxjerrja e xeheve dhe metaleve.
Nga aty vazhdojmë në këmbë, duke ecur nëpër tunele të ngushta, me pak ndriçim, e diku janë edhe të mbushura me ujë. Fillon edhe ajri është i nxehtë, e në vende- vende temperaturat janë shumë të larta e diku shumë të ulëta.
Në ndalemi në horizontin ku aktualisht po punohet dhe aty temperaturat shënojnë 32 gradë Celsius. Djersët kishin mbuluar minatorët, por edhe neve që sapo arritëm.
Ushtima e një bageri që pak shihej në pamjen e errët tregonte se pikërisht aty punohej për të nxjerrë mineralet. Këtu takohemi me Edmondin dhe kolegun apo siç thotë ai aty “të gjithë janë shokë”. Ata po punonin në shpimin e një guri për të nxjerr xehe.
Edmondi tregon se ka tetë vite që punon në minierë, ndërsa iu deshën tri vite të punonte si ndihmës, por që tani është bërë edhe vetë mjeshtër. Ai thotë se puna e tij dhe shokëve bëhet vetëm falë vullnetit të madh.
“Kushtet shihen edhe vet, nuk janë aq të mira por kur është vullneti kushtet i mujna. Ne ku jemi, jemi një. Nuk e këqyrim se nuk është puna jonë dhe tjetrit nuk i ndihmoj. Ne i ndihmojë njëri tjetrit kur ka nevojë diçka kur e shohim që nuk mundet, ose nuk ec puna. Vet miniera të lidh, nuk mundesh me i ik asaj që unë e kam këtë punë dhe tjetër gjë nuk preki. Vet shpirtërisht nuk të len me bë vetëm punën tënde”, tha Selimi për FaktePlus.
E ne tani do kthehemi në rrugës nga erdhëm. Do të duhen më shumë se 30 minuta për t’u kthyer tek hyrja e horizontit të 10-të.
Vazhduam këtë rrugë, me historinë dhe vështirësitë me të cilat po përballen minatorët për çdo ditë.
Në skaj të korridorit të ngushtë, ishte një nga shumë minatorët që janë të shtyrë në moshë, por që detyrohen të punojnë siç tregon gjatë bisedës se “idarja të shtinë me punu gjithçka axhës”.
Rruga deri tek horizonti 10 u bë e shkurtër duke dëgjuar rrëfimet e minatorëve. Kështu erdhëm tek ashensorit si kafaz për të dalë nga nëntoka.
Por, ndodhi e papritura. “Trepça” mbeti në terr. Krejt çka mund të shihej ishte drita e vogël e elektrikut të minatorit e vendosur në helmetë.
Kështu mbetëm të ngujuar për tri orë, pasi nuk kishte alternativë tjetër. Rrugët dhe shkallët emergjente nuk bëjnë punë, kështu na thonin prapa kamerave minatorët e shtyrë në moshë.
“Qysh me bo unë gjithë atë rrugë dhe prapë nuk i dalë në fund. Ose qysh unë me hyp nëpër këto shkallë, nuk kam aq fuqi unë”, tha njëri nga minatorët.
“Po shkojna tek zyra e shefit mbikëqyrës të punëtorëve në horizontin e 10-të dhe aty shohim çfarë të bëjmë”, na tha shoqëruesi i ekipës së FaktePlus.
Kjo situatë interesante ishte edhe aq e dhimbshme. Pasi gjendja e jashtëzakonshme tashmë për minatorët ishte bërë normale.
Arrijmë në “zyrën” e mbikëqyrësit të punonjësve. Zyre kjo krejt ndryshe prej atyre që jemi mësuar të shohim. Në anën e majtë ishte një gozhdë në të cilën ishte një qese e cila mbante ushqimin e minatorëve. Aty ishte edhe një karrike druri mbi të cilën ishte lënë telefoni për të komunikuar me horizontet dhe me kolegët e tyre që gjendeshin mbi tokë.
Mbikëqyrësi punon në minierë qysh nga viti 1988, kështu tregon vetë ai për FaktePlus
“Në këto situata duhet me mbet qetë në zyre deri të na vjen rryma. Dhe pasi të vjen rryma atëherë sinjalisti na lajmëron kur me dalë. Vështirësitë janë. Ju ishit në jug dhe e patë në çfarë temperatura punohet, mbi 30 gradë dhe kushtet i kemi pak më të rënda dhe nafta, kamionët, pluhuri ndikojnë te punëtorët”, rrëfen ai.
Tutje ai tregoi se para se të hyjnë nën tokë, hanë bukë në menzë, por që bukë marrin edhe me vete, sepse e papritura mund të ndodh.
“Mëngjesin e prishim pak në menzë. Por marrim edhe me vete poshtë se gjithçka mundet me ndodhë e mundemi me mbet këtu. Nuk ndodhë shpesh me u ndalë rryma”, sqaron ai.
E derisa po pritnim, aty u mblidhen gjithë punëtorët e horizontit. Pritja vazhdonte nën rrëfimet nga më të ndryshmet.
As pas më shumë se një orë qëndrimi aty, nuk erdhi rryma. Nga lartë njoftuan se për më shumë se dy apo tri orë nuk do të ketë rrymë.
Të zgjedhim rrugët urgjente. Ajo që u konsiderua pak më e lehtë ishte, ecja në këmbë edhe për gati dy orë vetëm për të arritur hiç më shumë se në horizontin e 9-të.
Nën korridore të ngushta, pluhur, ajrim i dobët, dukej si një film. Por këto të pazakontat për ne, ishin të zakonshmet e minatorëve që po i jetonin për çdo ditë të jetës së tyre.
Përreth ishin disa gypa që ishin vënë për ajrim, por as këto nuk është që kryenin aq punë.
Shoqëruesi tregonte se në situata si kjo, kur ndalet rryma dhe nuk funksionon as elektriku i minatorit, më e mira do të ishte të mos lëvizet fare.
Pas gati dy orë ecje, në ato momente më së miri e kupton thënien “Dritë në fund të tunelit”. E më në fund erdhi rryma dhe ne arritëm tek sinjalizuesi i ashensorit për t’u ngjitur lart e për të parë diellin.
Problemet me të cilat po përballet miniera e “Trepçës” në një interviste për FaktePlus, i ka konfirmuar edhe kreyshefi i kësaj ndërmarrje, Basri Ibrahimi.
“Gjendja e rrymës. Fatkeqësisht kur unë kam ardh këtu, gjendjen e rrymës e kam gjetur jashtëzakonisht të rëndë. Sepse në shkurt të këtij viti ka pas një avari të madhe në trafo tona dhe sot ne kemi mbet me vetëm prej një drejtimi të furnizuar me rrymë elektrike. Dhe fatkeqësisht ose fatmirësisht sot ju e patë që u ndalë rryma dhe nuk keni arritur me dalë prej minierës kohën kur ju e keni planifikuar dhe kur ju keni dashur të dilni. Sepse nuk kemi rrymë alternative. E kjo kushton jashtëzakonisht shumë për me vu në funksion dhe ne jemi në përpjekje bashkë me KOSSTIN që të bëjmë një siguri më të madhe për këtë dimër dhe pastaj në muajt e ardhshme të shohim çka duhet bërë”, ka thënë ai për FaktePlus.
Trepça që dikur ishte ndërmarrja më gjigante në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi, tani në shtetin e pavarur të Kosovës, është në fazën e mbijetesës e duke u përballë me një mori problemesh.
Ibrahimi thotë se shteti duhet t’i kthejë sytë kah Trepça dhe të bëhen investime, sepse kjo pasuri mund të ndihmojë edhe zhvillimin e Kosovës.
Trepça gjendet në një luginë në mes të maleve të Pretenit dhe atyre të Kutllovcit, bri rrugës që të shpie për në malet piktoreske të Shalës së Bajgorës, rreth 10 km në veri-lindje nga Mitrovica. Trepça është një nga minierat më të njohura për nxjerrje të metaleve të plumbit e zinkut, arit e argjendit./FaktePlus