Arber Zaimi manipulon, vetëm Gjermania e Franca kërkuan tërheqjen e mocionit, ai shton edhe tre shtete
Arbër Zaimi, këshilltar i kryeministrin Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të Kryesisë së Kuvendit që seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti të mbahet në orën 11:00.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Zaimi ka thënë se udhëheqësia e LDK’së po dëshirojnë që ta rrëzojnë qeverinë në kohë të virusit, kur infeksioni po shpërhapet me të madhe.
E ndonëse deri tani vetëm Gjermania e Franca kanë kërkuar tërheqjen e mocionit, ai ka shtuar edhe shtete tjera.
“E patë se si edhe ambasada amerikane, edhe ajo gjermane, edhe ajo franceze, edhe ajo e BE-së, edhe pesëshja (kuinti), kanë bërë thirrje që të lihen pas konfliktet politike dhe mocioni kundër qeverisë. Po ashtu e patë se si udhëheqësia e LDK-së, fatkeqësisht, nuk u shqetësua fort as për Amerikë, as për Evropë, as për epidemi e as për qytetarët”, ka shkruar Zaimi.
Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka reaguar pas vendimit për mbajtjen e seancës.
Sipas saj, LDK’ja i bindet vetëm Hashim Thaçit.
“Sot LDK injoroi kërkesat e qytetarëve e votuesve të saj e shumë thirrje nga shtetet mike të Kosovës. Kryesia e LDKsë është e PDKsë”, ka shkruar Pacolli.
Ndryshe, Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ka njoftuar se Gjermania e Franca kanë nisur një demarsh drejtuar zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së për shqetësimin e të dyja shteteve për të rikonsideruar mocionin e mosbesimit.
Kjo iniciativë bëhet pa shtetet tjera të QUINT-it, SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Ambasadori Heldt ka shkruar në Twitter se Franca dhe Gjermania ftojnë LDK-në që të konsiderojnë mocionin e mosbesimit dhe të mbajnë Qeverinë stabile përballë sfidave.
“Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë kanë nisur një demarsh për zëvendëskryeministrin Avdullah Hoti për të njoftuar kryetarin Isa Mustafa dhe për të dëgjuar shqetësimet zyrtare të të dyja kryeqyteteve. Franca dhe Gjermania qëndrojnë në anën e popullit të Kosovës në kriza. Ftojmë LDK-në të rishqyrtojë mocionin e mosbesimit dhe të mbajë një qeveri të besueshme dhe stabile për t’u përballur me sfidat”, ka shkruar amabasadori gjerman në Twitter.