Arabia Saudite kërkon nga myslimanët që t’i shtyjnë rezervimet për Haxh
Arabia Saudite ka kërkuar nga myslimanët që planifikojnë të marrin pjesë në peligrinazhin e Haxhit që t’i shtyjnë rezervimet për shkak të pasigurisë lidhur me koronavirusin.
Ministri i Haxhit, Mohammed Banten, ka thënë se mbretëria është e shqetësuar për sigurinë e pelegrinëve, prandaj ka lutur njerëzit që “të presin edhe pak kohë para së të nënshkruajnë marrëveshje”.
“Arabia Saudite është plotësisht e përgatitur t’i shërbejë haxhilerëve dhe kërkuesve të Umrës në të gjitha rrethanat. Por, në rrethanat aktuale, ndërsa po flasim për pandeminë globale – nga e cila e kemi lutur Zotin që të na shpëtojë – mbretëria dëshiron që të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe myslimanëve”.
“Prandaj, ju kemi kërkuar vëllezërve myslimanë në të gjitha shtetet që të presin, përpara se të nënshkruajnë marrëveshje [me operatorët turistikë], derisa situata të jetë krejtësisht e qartë”, ka thënë Banten në media.
Rreth dy milionë njerëz pritej që të udhëtonin drejt Mekës dhe Medinës në muajt korrik dhe gusht për ngjarjen e përvitshme të Haxhit.
Pelegrinazhi më i vogël, Umra, tashmë është pezulluar si masë paraprake në përpjekjen për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit.
Njerëzit po ndalohen gjithashtu që të hyjnë në Mekë dhe Medinë, ashtu si edhe në kryeqytetin arab Riad, pasi autoritetet po përpiqen që ta ndalin shpërthimin e Covid-19 në Arabinë Saudite – ku janë të paktën 1563 persona të infektuar dhe 10 të vdekur deri tani.