Apostolova: Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e vizave
Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret që qytetarët e saj të lëvizin pa viza në vendet e BE-së por mbetet në diskrecionin e shteteve anëtare të BE-së të vendosin nëse liberalizimi do të ndodh.
Kështu ka deklaruar në intervistën dhënë për lajmi.net, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Apostolova për lajmi.net është shprehur se Komisioni dhe Parlamenti Evropian kanë konstatuar se Kosova i ka mbushur të gjitha kushtet por mbetet në vendimin e shteteve anëtare të BE-së se çfarë do të ndodh në këtë temë.
Ajo, ka porositur autoritetet kosovare të lobojnë në mënyrë që t’i bindin shtetet anëtare të BE-së sa më shpejtë që liberalizimi i vizave të ndodh.
“Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palët.”, thuhet në përgjigjen e BE-së për lajmi.net.
Më tutje, Apostolova ka thënë se rrugët e Kosovës dhe BE-së do të jenë gjithmonë të bashkuara, duke shtuar se rinia e Kosovës është gjëja më mbresëlënëse lidhur me shtetin më të ri në kontinent.
Më poshtë, mund ta lexoni të plotë intervistën e shefes së BE-së në Kosovë ku ajo flet për zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës, kryeministrin Kurti dhe dialogun Kosovë – Serbi:
Znj.Apostolova, detyra juaj në Kosovë është zgjatur edhe për 6 muaj, si ka qenë përvoja jote në Kosovë gjatë këtyre viteve?
Zyra e BE-së në Kosovë: Kosova përballet me disa çështje të rëndësishme për të ardhmen e saj. E para është arsimi. Kosovës i duhet një sistem modern arsimor; një sistem i përgatitur siç duhet për trajtimin e sfidave moderne. Si BE, ne e kemi veçuar arsimin si prioritet kryesor të ndihmës sonë për Kosovën. Shpresojmë që politikë-bërësit e Kosovës, qoftë në qeveri apo opozitë, t’i përgjigjen njësoj vendosmërisë sonë për të sjellë ndryshime.
Po ashtu, njerëzit duhet të jenë në gjendje të hyjnë në treg mbi baza konkurruese. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), që Kosova ka nënshkruar me BE-në, mund të jetë ndihmë e madhe. Sidoqoftë, ajo duhet të zbatohet.
Ku ka ngecur Kosova gjatë këtyre viteve dhe çfarë duhet të bëjë ndryshe?
Zyra e BE-së në Kosovë: Luftimi i korrupsionit ka rëndësi kyçe. Të rinjtë duhet ta shohin dhe besojnë se përparimi i tyre është rezultat i punës së palodhur dhe meritës së tyre, dhe jo i lidhjeve politike apo familjare.
BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në çdo segment të shoqërisë gjatë dy dekadave të fundit. BE-ja është investitori, donatori dhe partneri kryesor tregtar i Kosovës. Ne kemi krijuar mijëra vende pune, kemi mbështetur qindra ndërmarrje, dhe kemi ndërtuar shumë shkolla. Falë fondeve të BE-së, Prishtina tani ka furnizim të pandërprerë me ujë, dhe dhjetëra mijëra qytetarë gëzojnë ngrohjen publike të klasit të parë.
BE-ja i ofron mbështetje të fortë Kosovës për mbrojtjen e mjedisit. Ne jemi duke investuar 76 milionë euro për zvogëlimin e ndotjes dhe rreziqeve shëndetësore nga termocentrali Kosova B. Komisioni Evropian sapo ka lansuar “Marrëveshjen e Gjelbër” për arritjen e zero emetimeve të karbonit dhe neutralitetit klimatik deri në vitin 2050. Kosova është Evropë, dhe duhet të jetë pjesë e kësaj përpjekje të përbashkët.
Në Kosovë ka ndodhur një ndryshim politik i madh pas zgjedhjeve të 6 tetorit, si e komentoni këtë?
Zyra e BE-së në Kosovë: Më 6 tetor, populli i Kosovës zgjodhi udhëheqësit e tyre. Ne jemi të angazhuar me Qeverinë e re për Agjendën Evropiane të Kosovës. I kuptojmë pritjet e mëdha ndaj kësaj qeverie që të sjellë ndryshime reale për Kosovën.
E mirëpresim si hap të parë heqjen e paralajmëruar nga Kryeministri Albin Kurti të tarifave për importin e lëndëve të para nga Serbia dhe nga Bosnja dhe Hercegovina. Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe të hapë një dritare për rifillimin e Dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga BE-ja. Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një mjedis të favorshëm ndaj rifillimit të Dialogut, në dobi të të dy vendeve.
Kosova dhe Serbia kanë ngecur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, cili do të jetë roli i BE-së në fazën tjetër të dialogut?
Zyra e BE-së në Kosovë: Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell është i gatshëm të luajë rolin e tij si lehtësuesi i Dialogut në emër të BE-së.
A po i vonon BE-ja liberalizimin e vizave për Kosovën dhe a janë përmbushur të gjitha kushtet për të ndodhur liberalizimi dhe kur mendoni se do të ndodh?
Zyra e BE-së në Kosovë: Ne duam që kosovarët të jenë në gjendje të udhëtojnë pa viza sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian e kanë thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, dhe kanë rekomanduar që të hiqen vizat për Kosovën. Tani duhet të merret një vendim përfundimtar nga shtetet anëtare të BE-së. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka munden që t’i bindin sa më shpejt shtetet anëtare të BE-së se pranimi i udhëtimit pa viza brenda Zonës Schengen për kosovarët është një fitore për të dyja palët.
A iu jep mundësi më të mëdha Strategjia e re e zgjerimit e BE-së vendeve të Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE?
Zyra e BE-së në Kosovë: Ballkani Perëndimor është prioritet për BE-në, dhe është në interesin tonë gjeostrategjik t’i afrojmë sa më shumë me ne partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. Partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor u duhet një perspektivë solide dhe mbi baza meritore për anëtarësimin e plotë në BE. Nga ana tjetër, Ballkani Perëndimor duhet t’i adresojë plotësisht dobësitë strukturore, veçanërisht në fushën e parimeve themelore.
Për fund, cila është porosia juaj për Kosovën dhe vendet e Ballkanit në përgjithësi që aspirojnë anëtarësimin në BE?
Zyra e BE-së në Kosovë: Rrugët e BE-së dhe të Kosovës do të jenë gjithmonë të bashkuara. Megjithatë, në mënyrë që Kosova të ketë sukses në planin afatgjatë, shtytja duhet të vijë nga brenda. Gjëja më mbresëlënëse për Kosovën është rinia e Kosovës. Ata janë pasuria më e madhe e Kosovës. Atyre duhet t’u ofrohet mbështetje adekuate dhe mundësi që të përparojnë dhe ta udhëheqin Kosovën.