Apostolova: Duam qeveri të përgjegjshme, dhe BE gjithmonë do ta ndihmojë Kosovën
Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova zhvilloi sot takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Gjatë takimit të saj me Kurtin, Apostolova tha se partnerët ndërkombëtarë kanë theksuar vazhdimisht se sa me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri ekzekutive, sepse sipas saj pa një partner të tillë, nuk mund të përmbushin detyrimet që i kanë marrë, transmeton Indeksonline.
Ajo ritheksoi se BE-ja gjithmonë do të qëndrojë dhe do ta ndihmoj Kosovën, por që BE dëshiron të shoh një qeveri të përgjegjshme dhe ministra të dijshëm që do të jenë partner në zbatimin e prioriteteve siç janë sundimi i së drejtës, arsimi dhe ndërtimi i shtetit.
Fjalimi i plotë i Apostolova-s thënë sot:
Unë si Përfaqësuese Speciale e Bashkimit Evropian dhe ekipi im erdhëm ta përgëzojmë kryeministrin Kurti, për marrjen e postit të kryeministrit dhe themelimin e Qeverisë dhe funksionimin e saj. Ishte takimi i parë dhe erdhëm në numër kaq të madh për ta përsëritur zotimin tonë të vazhdueshëm të Bashkimit Evropian, për Kosovën, për popullin e Kosovës, si dhe për Qeverinë e Kosovës.
U deshtë pak kohë për krijimin e kësaj Qeverie dhe në shumë raste, ne, si partner ndërkombëtar kemi theksuar se sa me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri ekzekutive, sepse pa një partner të tillë në vendet ku jemi të vendosur nuk mund t’i përmbushim detyrimet që i kemi marrë përsipër. Siç tha kryeministri, marrëveshjet tona kontraktuale janë MSA-ja, në mes të Kosovës dhe BE-së, Agjenda Evropiane të Reformave, që është në fazën e dytë dhe së shpejti presim që faza e dytë të filloj.
Ajo që është me rëndësi është që BE-ja gjithmonë do të qëndroj dhe do ta ndihmoj Kosovën. Kemi qenë të angazhuar në ndihmën, në programin tonë të dytë më të madh në botë për kokë banori. Nuk dua t’i përmend shifrat sepse ato nuk janë të rëndësishme për këtë konferencë për shtyp. Deklarata më e mirë që ja kam bërë është që e tëra që jemi pajtuar për Kosovën, është për Kosovën dhe popullin e saj.
Dëshirojmë ta shohim një qeveri të përgjegjshme dhe ministra të dijshëm që do të jenë partner tanë në zbatimin e kësaj asistence, prioritetet tona, siç janë sundimi i së drejtës, arsimi, ndërtimi i shtetit.
Dëshirojmë të shohim institucione të forta, administratë të fortë publike. Dëshirojmë të shohim natyrisht, që këto projekte që janë në linjë, një prej tyre është emblematike filtrat për “Kosovën B”. Dëshirojmë të shohim që mjedisi në Kosovë po përmirësohet dhe dëshirojmë të shohim që Kosova të avancoj në partneritet evropian.
Mendoj se është emblematike që ky ishte takimi i parë sot. Komisioni Evropian tashmë ka njoftuar ose paralajmëruar një metodologji të re që ka të bëjë me zgjerimin e rajonit dhe mendoj që është një fillim i mirë për zotimin tonë të përtërirë që po e theksojmë në këtë komision për Ballkanin dhe Kosovën në veçanti.