Apeli lë në paraburgim të akuzuarin për krime lufte ndaj popullatës civile
Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Darko Tasiq, ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren, e cila ia kishte vazhduar të njëjtit paraburgimin edhe për dy muaj.
Tasiq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël.
Gjykata Themelore në Prizren, me aktvendimin e 28 shkurtit 2020, ia ka vazhduar masën e paraburgimit të pandehurit Darko Tasiq në kohëzgjatje prej dy muajsh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale ”krime lufte kundër popullatës civile” dhe “ krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës dhe të protokollit shtesë”.
Kundër këtij aktvendimi, në afatin ligjor, ka ushtruar ankesë mbrojtësi i të pandehurit Tasiq, avokati Dejan Vasiq, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, me propozim që të akuzuarit t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet ndonjë masë më e butë.
Mirëpo, sipas gjykatës së shkallës së dytë, ankesa e avokatit Vasiq është e pabazuar.
Sipas vendimit të Apelit, në këtë çështje aktakuza është ngritur në bazë të provave që argumentojnë dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet dhe se në këtë rast ende nuk kanë pushuar rrethanat e vazhdimit të paraburgimit, respektivisht bazat ligjore për vazhdimin e paraburgimit.
Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsyet të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën ka vazhduar masën e paraburgimit.
Tutje, thuhet se Apeli vlerëson se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ngase edhe më tutje ekzistojnë rrethanat të cilat me të drejtë justifikojnë frikën se me gjetjen e të pandehurit në liri, i njëjti do të mund të fshihet apo arratiset për t’i ikur përgjegjësisë penale se i njëjti është shtetar i Republikës së Serbisë, nuk ka vendbanim të rregullt në Kosovë”, thuhet në aktvendim.
Gjithashtu, thuhet se nga të dhënat e siguruara nga sistemi i menaxhimit të kufirit del se ,i pandehuri prej vitit 2012-2017 Kosovën e vizituar 7 herë dhe ato raste kohëzgjatja e tij ka qenë rreth 2 orë e 40 minuta, që është një kohë relativisht e shkurtër.
Po ashtu, thuhet se fakti se gjatë kësaj periudhe kohore i pandehuri nuk ka pasur marrëdhënie pune në territorin e Republikës së Kosovës, e për më tepër se deri ditën e arrestimit ka qenë i paarritshëm për organet e drejtësisë, për çka ndaj tij është lëshuar letër rreshtim ndërkombëtar dhe përveç këtyre veprat për të cilat ngarkohet janë të rrezikshmërisë së lartë, për të cilat parashihen dënime mjaft të larta me burgim ,nëse i njëjti shpallet fajtor.
Andaj sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurit ia ka vazhduar masën e paraburgimit, me arsyetimin se masat e tjera do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së tij në procedurë, rrjedhën normale të procedurë penale dhe parandalimin e kryerjes së veprës tjetër.
“Me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, vazhdimi i paraburgimit konsiderohet si i domosdoshëm, kurse ankesa e mbrojtës të pandehurit u refuzuar si e pabazuar”, thuhet në fund të vendimit.
Masa e paraburgimit të akuzuarit do t’i llogaritet deri më 1 maj të këtij viti.
Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të komunës së Rahovecit.
Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.
Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv.