Anulohet konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës
Është anuluar konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
Njoftimi i plotë:
Ministria e Financave ka shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, konkurs i cili ka qenë i hapur për pesëmbëdhjetë ditë nga data e shpalljes. Pas përfundimit të periudhës së konkurrimit, Ministria e Financave, konform nenit 5, paragrafi 4, i Kodit Doganor dhe i Akcizave Nr. 03/L-109, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-099, me Ligjin Nr. 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 04/L-273, ka themeluar Komisionin rekrutues më 03.04.2020.
Në fazën e parë, Kryetari i Komisionit ka qenë në koordinim me partnerin zbatues të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për planifikimin dhe inicimin e vlerësimit të aplikacioneve. Me shfaqjen e situatës pandemike, me rekomandimin e të gjithë anëtarëve të Komisionit rekrutues si dhe në dakordim me partnerin zbatues të Ambasadës Britanike, Ministri i Financave më 18.03.2020 ka pezulluar zbatimin e procedurave të rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës.
Ndërkohë, edhe Marrëveshja me Ambasadën Britanike ka skaduar dhe me këtë ka pësuar ndryshim edhe procedura e metoda e vlerësimit të kandidatëve. Meqë Qeveria e Republikës së Kosovës është në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes me Ambasadën Britanike për monitorimin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitat e larta drejtuese, Ministria e Financave ka vendosur të anulojë konkursin e shpallur më 12.02.2020 dhe ta rishpall këtë pozitë, duke udhëhequr një proces rekrutimi transparent përmes bashkëpunimit të ngushtë me palën britanike.
Ministria e Financave kërkon mirëkuptim nga pjesëmarrësit e konkursit të datës 12.02.2020 dhe i inkurajon ata për ri-aplikim. Po ashtu, inkurajohen të gjithë profesionistët që plotësojnë kushtet e konkursit që do të shpallet të aplikojnë për këtë pozitë, ku Ministria e Financave garanton transparencë dhe përzgjedhje të bazuar në meritokraci.